Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Detarit, komuniteti I transportit, në bashkëpunim me Administratën Detare Shqiptare, organizoi aktivitetin rajonal me temë “Duke mbajtur në lëvizje tregtinë botërore, duke përballuar rreziqet.”
Në aktivitetin që u zhvillua në bordin e një trageti në portin e Durrësit merrnin pjesë përfaqësues të institucioneve, industrisë detare, akademisë dhe detarë nga vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian.
Për drejtorin e Drejtorisë së Përgjithshme Detare, Tomor Harizi profesioni i detarit është një hallkë shumë e rëndësishme në zinxhirin e transportit ujor dhe ky aktivitet ka për qëllim të vlerësojë pikërisht njerëzit e detit.
Në regjistrin detar janë rreth 1500 marinarë që punojnë në anije me flamur shqiptar, por edhe të huaj. Për shkak të qëndrimit të gjatë në det dhe larg familjes, profesioni i detarit mbart në vetvete vështirësi të shumta. Por krahas detarëve të vjetër, që vazhdojnë e ushtrojnë këtë profesion politikat shtetërore dhe ato universitare po orientohen gjithnjë e më shumë drejt thithjes së brezit të ri, profesionistëve të kësaj fushe.
Dita Ndërkombëtare e Detarit festohet çdo vit më 25 Qershor. Kjo datë, e shpallur nga Organizata Ndërkombëtare Detare (IMO), nderon kontributin thelbësor që detarët i japin tregtisë botërore, ekonomisë dhe jetës së përditshme, duke njohur sakrificat e tyre të vazhdueshme.





