Në një leksion të hapur, studentët e Fakultetit të Biznesit në UAMD patën të ftuar biznesmenin e njohur nga Emiratet e Bashkuara Arabe, Mohamed Alabbar. Shumë i njohur dhe i diskutuar vitet e fundit në vendin tonë për shkak të projektit 2 miliardë euro të Marinës Turistike të Durrësit, Alabbar u tregoi studentëve dhe lektorëvve të pranishëm shumë aspekte të panjohura nga jeta e tij.

Përtej famës së marrë si ndërtuesi i godinës më të lartë në botë, Burj Khalifa, dhe qendrës gjigande tregtare në Dubai, Alabbar tregoi se deri në moshën 15-vjeçare nuk kishte shtëpi, ndërsa vetëm kur mbushi 16 vjeç hyri për herë të parë në një shtëpi të ndërtuar me tulla.

“Energjia elektrike erdhi në shtëpinë e nënës sime, kur unë mbusha 15 vjeç. Nuk kishim as ujë, e sillte dikush me gomar dhe ne e blinim. Bënim një jetë shumë të thjeshtë dhe unë doja t’i ikja varfërisë. Jam shumë i lumtur dhe me fat, që mund të bëj tani në jetë atë që më pëlqen. Jam i suksesshëm, bëj para, njerëzit janë të lumtur, vendi im është krenar. Ky nuk është vetëm biznes, në Tiranë apo në Dubai ne jemi pjesë e botës së qytetëruar”,- tha Alabbar.

Më i madhi i 13 motrave dhe vëllezërve gjithë jetën e tij ka pasur një hero të vetëm, nënën e tij.

Djali i vogël që gjithnjë ëndërronte sesi të shpëtonte nga varfëria dhe të blinte një biçikletë është shndërruar sot në një nga biznesmenët më të fuqishëm të vendit të tij. Prandaj këshilla e tij për të rinjtë, që duan të bëhen të suksesshëm ishte: Bëni atë që ju pëlqen!

Pasuria e tij më e madhe nuk janë paratë në bankë apo kampanitë e tij, por diçka shumë më njerëzore, familja dhe nipërit e tij..

Me projektin e tij Durrës Yacht Marina, ai synon ta kthejë qytetin bregdetar në një Monako të dytë.

“Ne filluam të bëjmë në Beograd, atë që po bëjmë në Durrës. Ne nisëm të shisnim atje apartamente me 1750 euro për metër katror. Nisëm të ndërtonim rrugët, hapëm godinën e parë, vendosëm lulet, hapëm lokalet, jeta nisi të gjallërojë aty. Na u deshën 6 vite punë, por sot çmimi i metrit katror është 4000 euro. Kini parasysh, që Serbia nuk ka det, nuk ka marinë. Atje po ndërtojmë afër lumit, patjetër që është peisazh i bukur. Në Durrës ne do të ndërtojmë Monakon, nuk po bëjmë shaka”,- tha Alabbar para studentëve.  

Ndërsa përsëriti disa herë gjatë leksionit të hapur, se kishte pritur 15 vite, që të niste të shihte frytet e punës së tij, biznesmeni Mohamed Alabbar i ftoi studentët të punojnë fort për të realizuar ëndrrat e tyre, pasi gjërat e bukura nuk arrihen lehtë.

M.B.