Sot u organizua një ceremoni solemne në përkujtim të 110-vjetorit të ngritjes së flamurit të pavarësisë në Durrës.

Kryetarja e bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako u shpreh e nderuar që përsëriti sot, 110 vjet më pas, me solemnitet dhe përgjegjësi, aktin historik që kreu kryetari i parë i bashkisë së Durrësit Hafiz Ali Podgorica, duke ngritur flamurin shqiptar më 26 nëntor të vitit 1912.

“Të gjithë përulemi me respekt përpara të gjithë atyre patriotëve që sakrifikuan gjithçka për pavarësinë e vendit. Historia e vendit tonë ashtu si dhe historia e qytetit është e mbushur me beteja në përpjekje për t’u ringritur sa herë që jemi goditur.
Durrësi është plagosur edhe herë të tjera në historinë e tij të lashtë por sërish ka gjetur forca të ringrihet dhe të jetojë edhe më mirë se më parë. Kështu po ndodh edhe sot, pas pandemisë globale dhe tre vjet pas tërmetit të tmerrshëm, ku të gjithë bashkë, ja dolëm mbanë që qytetin ta rikthejmë në normalitet madje edhe më të bukur edhe më të fortë se më parë”,
u shpreh Sako.

Në ceremoni ishin të pranishëm prefekti Emiljan Jani, kryetari i qarkut, përfaqësues të prefekturës, deputetë, veteranë, përfaqësues të komuniteteve fetare, drejtori i QKF-së i shoqëruar nga disa vogëlushë si edhe qytetarë të Durrësit.