Vetëm pak km larg qendrës së qytetit, por pak kush do ta mendonte se kjo rrugë ndodhet në Durrës. Aksi “Prishtina” shtrihet përmes një zone të banuar të njësisë administrative Rrashbull.

Në njërën anë të saj nuk ka njohur asnjëherë asfalt, aq sa vende-vende është e pamundur ta përshkosh me makinë, ndërsa në degëzimin tjetër, që shtrihet në të majtë të aksit Durrës – Rrashbull, infrastruktura rrugore është dëmtuar ndjeshëm.

Banorët e kësaj zone ndihen të braktisur, megjithëse janë taksapagues të rregullt.

“Na duket si në mesjetë. 500 metra rrugë janë këtu, nga asfalti në asfalt. Asnjëherë nuk është shtruar.”

“Rruga është copë-copë, plot gropa”.

“24 vite këtu, kjo rrugë nuk është bërë asnjëherë. Ne paguajmë kanalizimet, ndri­çim, taksat të gjitha dhe neve nuk na vjen kush për ta parë gjendjen. Vetëm për të marrë lekë vijnë”,- thonë banorët për “DurrësLajm”.

Kanali i ujërave të larta që përshkon këtë zonë është një tjetër shqetësim për banorët. Ndotja ambientale që ai krijon me pirgjet e mbeturinave urbane që depozitohen aty, përbën një rrezik për shëndetin e komunitetit.

“Unë i çoj mbeturinat në Nishtulla dhe mua më vijnë mijëra tonelata te dera e shtëpisë. Nuk e di si të veproj”.

“Këtu është gjendja katastrofike. Gjendjen e kanalit e shihni vetë, s’ka nevojë për koment”.

Si të mos mjaftonte infrastruktura rrugore që mungon dhe rreziku potencial nga ndotja mjedisore, komuniteti i kësaj zone vuan edhe një tjetër shqetësim.

Një fushë e stërmadhe e mbushur me mbetje inerte, plastike, goma automjetesh etj. Në një kohë që promovohet imazhi i Durrësit turistik, kjo panoramë e shëmtuar dëshmon problematikat e mprehta të zonave periferike.

“Duhet të hiqen, të pastrohen. Këtu vijnë ndezin zjarre, çfarë nuk djegin. Kemi qenë tek bashkia, një herë e kanë pastruar, ndërsa tani e kanë lënë kështu”,- thotë një banor.

Rruga “Prishtina” apo rruga e mundimeve? Pas më shumë se 2 dekadash që është vendosur në këto zonë, apeli i këtij komuniteti është mjaft i drejtpërdrejtë për bashkinë Durrës.

“Të vijnë të na e rregullojnë, se 600 metra rrugë është!”

“Kërkojmë të na bëhet rruga, të pastrohet kanali!”,- thonë banorët.

M.B.