Qyteti i Durrësit ka mirëpritur edicionin e 19-të të Festivalit Ndërkombëtar të Muzikës së Dhomës “Chamber Fest Durrës”. Festivali, i cili zhvillohet për të dytin vit rresht në ambientet e kishës katolike “Shën Luçia”, filloi me një minutë heshtje në nder të figurës së Ismail Kadaresë, pas së cilës vijoi me programin artistik.

Koncerti i parë u mbajt nga instrumentistë gjermanë, shqiptarë dhe çekë, të cilët luajtën pjesë të kompozitorëve shqiptarë dhe ndërkombëtarë. Nevila Kalaja Herczegh, Drejtore Artistike e Festivalit, tha se festivali synon t’i ofrojë publikut mbrëmje të jashtëzakonshme emocionesh unike dhe të papërsëritshme, ndërsa harta e artistëve pjesëmarrës është shtuar.

Unë jam tepër e lidhur shpirtërisht me një vend të tillë, por përveç kësaj, ai afron këtë lloj muzike. Festivali në gjithë këto vite organizmi ka publikun e tij, por në të gjitha mbrëmjet vijnë njerëz të rinj, të kombësive të ndryshme, turistë në qytetin tonë”, tha Nevila Kalaja.

Artistët Bledar Zajmi dhe Florian Schroter vlerësuan ftesën e bërë nga organizatorët për të qenë pjesë e festivalit “Chamber Fest Durrës”.

“Nga Durrësi kam një marrëdhënie shumë personale, pasi kur kam qenë fëmijë i kam kaluar këtu pushimet. edhe vitin që shkoi kam qenë me familjen dhe kam kënaqësi që të performoj në këtë kishë të mrekullueshme”, u shpreh Bledar Zajmi.

Ndërsa pianisti Florian Schroter u shpreh shumë i lumtur që luan me dy artistë si Nevila dhe Bledari. “Është hera e parë që vi në Shqipëri, në Durrës. Është e mrekullueshme të luash në këtë vend, në kishë, dhe jam shumë i emocionuar për koncertin e mbrëmjes.”

Festivali është kthyer në një ngjarje të rëndësishme në Kalendarin Kulturor të Verës së Durrësit që prej vitit 2006, duke tërhequr jo vetëm emra të njohur të artistëve, por edhe një publik të gjerë.
Siparin festivali pritet ta ulë më 25 korrik, ndërsa përgjatë kësaj periudhe janë planifikuar të mbahen 8 koncerte.