Durrësit i shtohet një murale e re, me një tematikë shumë të prekshme dhe të ndjeshme për opinionin publik: Dhuna me bazë gjinore.

16 ditët e aktivizmit kundër dhunës me bazë gjinore kulmuan sot në qytetin bregdetar me një aktivitet që bëri bashkë përfaqësues të lartë qendrorë dhe vendorë, ambasadoren e Suedisë dhe në vendin tonë, njerëz të artit e kulturës etj.

Arti, përmes formave të tij, përcjell mesazhe të forta dhe kjo u nënvizua nga shumë prej të pranishmëve.

Durrësi është një nga qytetet me numrin më të lartë të rasteve të dhunës në shkallë vendi, por ministrja dhe deputetja, Milva Ekonomi dhe nënkryetari i bashkisë Renis Mullaj vunë theksin në rëndësinë që i është dhënë vitet e fundit forcimit të rolit të grave dhe vajzave në të gjitha fushat e jetës.

Muralja e artistes Drenusha Zajmi pritet të tërheqë vëmendjen e shumë qytetarëve të Durrësit, sepse është vendosur në një nga zonat më të frekuentuara. Për të sensibilizuar sa më shumë qytetarë dhe për të forcuar bashkëpunimin me institucionet për trajtimin e rasteve të dhunës me bazë gjinore, në bashki u dorëzua një raport mbi gjetjet e një sërë aktivitetesh të zhvilluara në kuadër të fushatës “Këpucët e kuqe”, që për herë të parë e solli në Durrës dy vite më parë regjisorja Driada Dervishi.

M.B.