Një natë mes të kaluarës dhe të tashmes, për të risjellë në vëmendjen e qytetarëve durrsakë, por edhe turistëve pjesë nga historia dhe trashëgimia kulturore e pasur e qytetit të Durrësit.
Kështu ishte konceptuar eventi kulturor i organizuar në ambientet e hamamit të Durrësit, monumentit të kulturës të restauruar së fundmi në kuadër të programit EU4 Culture.
“Nata Kulturore Epidamn e Trashëgimisë dhe Artit” solli para të pranishmëve performanca muzikore, kostumet e shekullit XVIII kur hamami u ideua dhe ndërtua, një udhëtim në histori nga kronikat osmane, imazhe të Durrësit të vjetër që u shfaqën në fasadën monumentale të Hamamit, të cilat ishin krijuar përmes inteligjencës artificiale etj.
“Pas restaurimit të Hamamit ne kemi menduar të risjellim frymën otomane në disa performance me muzikë, tregime të historive të vjetra për të risjellë kështu monumnetin në periudhën që ai është ngritur dhe deri në ditët e sotme”,- deklaroi Livia Kreko, specialiste komunikimi për qendrën “Durrësi aktiv”.
“Qëllimi i aktivitetit është për të njohur brezin e ri me monumentet e kulturës si dhe për të evidentuar trashëgiminë kulturore të Durrësit. Përveç natës në Hamam, ne kemi menduar që muajin tjetër të organizojmë një natë tek Torra, ku do të prezantojmë një moment tjetër të historisë së Durrësit”,– tha Romir Llukaçi, mentor arti.
Në këtë natë dedikuar trashëgimisë kulturore nuk mungonin edhe artistët e artizanët vendas, që përmes punimeve të tyre janë dëshmi e gjallë e zanateve të vjetra të trashëguara në shekuj, një prej të cilave është poçeria. Mjeshtri Agron Fusha është një nga poçarët e fundit në llojin e tij dhe trembet se ky zanat po shkon drejt zhdukjes.

Jo vetëm qytetarët e Durrësit por edhe turistë të huaj shfaqën interes gjatë kësaj nate për të njohur shumë aspekte të trashëgimisë sonë të pasur kulturore, e cila edhe sot e kësaj dite shërben ndër të tjera edhe për të frymëzuar artin e së tashmes.
M.B.