Dy nëna nga Teksasi që shihni në foto u akuzuan për braktisjen e gjashtë fëmijëve të tyre duke i lënë ata në mjerim absolut.

Procedimi erdhi pasi fëmijët u gjetën të mbuluar me papastërti, morra dhe aq të uritur sa një 1-vjeçar u pa të hante jashtëqitjet e tij, thanë autoritetet amerikane.

Riccy Padilla-Hernandez, 28 vjeçe dhe Yures Molina, 34 vjeçe, të dyja nga Houston, u akuzuan për rrezikimin e fëmijëve – të gjithë nën moshën 10 vjeç – të cilët u gjetën duke jetuar në kushte të mjera, thanë hetuesit, sipas KPRC.

Fëmijët e Padilla-Hernandez janë të moshave 2, 3 dhe 7 vjeç dhe fëmijët e Molinës, të moshës 1, 8 dhe 9 vjeç. Është e paqartë nëse dy gratë ishin mike dhe/ose të afërme, por ato jetonin nën të njëjtën çati.

Fëmijët u zbuluan të mërkurën e sotme pasi një punonjës i mirëmbajtjes raportoi në polici se vajza 2-vjeçare e Padilla-Hernandez po endej pranë një pishine, tha policia. Fëmija ishte zbathur dhe pa mbikëqyrje.

Kur oficerët e Departamentit të Policisë së Houston mbërritën, vëllai i madh i vajzës i çoi në banesën e tyre, ku u gjetën katër fëmijët e tjerë.

Sipas njoftimit të policisë, djali 1-vjeçar i Molinës u gjet në krevat fëmijësh aq i uritur sa kishte ngrënë jashtëqitjet e tij. Djali 9-vjeçar i Molinës ishte i mbuluar me papastërti dhe i infektuar me morra, thanë policët.

Një nga fëmijët e Padilla-Hernandez është me nevoja të veçanta dhe nuk është në gjendje të kujdeset për veten, sipas hetuesve.

Ndërsa oficerët po ushtronin kontroll, Padilla-Hernandez u kthye në apartament. Ajo i tha policisë se ishte “duke bërë taksat e saj” ndaj nuk gjendej në shtëpi, tha policia.

Molina, e cila është shtatë muajshe shtatzënë, nuk ishte e pranishme as ajo në shtëpi.

Fëmijët u vendosën në kujdestarinë e Shërbimit të Mbrojtjes së Fëmijëve.