Ekspozita “Lindja e Durrësit modern” u hap pasditen e mërkurës në Muzeun Arkeologjik të qytetit. Për herë të parë u ekspozuan për audiencën dokumente dhe fakte ta papublikuara më parë mbi historinë e Durrësit modern, në vitet 20-39 të shekullit të kaluar.

Ekspozita përfshinte korrespondencën zyrtare të institucioneve lokale të asaj periudhe dhe synon të hedh dritë mbi urbanizimin e qytetit përgjatë dy dekadave të shekullit të kaluar përmes analizës krahasimore dhe interpretimit të hartave të vjetra.

Ekspozita u hap në bashkëpunim të ngushtë me Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave, e cila paraqiti shumë fakte interesante që synojnë të zbardhin edhe më shumë historinë e zhvillimit modern të qytetit në fillim shekullin e kaluar.

Gjatë viteve të monarkisë shqiptare (1924-1939) Durrësi fitoi një frymëmarrje të re dhe qytetaria fisnike durrsake e bëri qytetin e vet model të zhvillimit ekonomik.

Në ekspozitë, një rëndësi e veçantë iu kushtua punës kërkimore të bërë nga urbanisti durrsak Artan Kacani, që hedh dritë mbi aspekte të panjohura të urbanizimit të qytetit, që në ato vite mori një zhvillim të madh, falë planit urbanistik dhe ndërtimeve të shumta në rrugët kryesore të tij.

Fotot e vjetra, të marra nga arkivi i studios Domi, ishin shoqërueset vizuale të këtij materiali të pasur dokumentar.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri në datën 18 maj për t’u dhënë mundësi të gjithë të interesuarve të njohin më nga afër etapat nëpër të cilat nisi dhe më pas kaloi zhvillimi i qytetit bregdetar.