Erjon Xhenje është 19-vjeçari i cili u ekzekutua me armë zjarri mbrëmjen e së dielës në Shkodër. Ngjarja e rëndë ndodhi teksa i riu ndodhej i ulur në një lokal në bulevardin “Bujar Bishanaku”.

Ndonëse fillimisht dyshohej që ngjarja mund të kishte ndodhur edhe për shkak të një konflikti të çastit, të dhënat e reja e hedhin poshtë këtë pistë. Sipas tvKlan, autorët dyshohet se kanë qenë dy. Ata kanë qëlluar të paktën 8 herë në drejtim të 19-vjeçarit dhe janë larguar një moment që janë siguruar se ai kishte ndërruar jetë.

Ndonëse autoritetet policore vijojnë intensivisht punën për identifikimin e tyre, deri më tani kjo ngjarje e rëndë nuk ka ende autor. Hetuesit shpresojnë që autorët të kenë lënë gjurmë tek arma e përdorur në krim, e cila u gjet së bashku me motorin e përdorur prej tyre.

Ndërkohë në lokalin ku ndodhi ngjarja mësohet se ka 5 kamera sigurie të cilat janë sekuestruar, ndërsa dëshmitarët kanë qenë të shumtë për shkak se lokali ndodhet pranë stadiumit dhe kishte klientë që po shihnin ndeshjen.

Sa i përket motiveve, ato mbeten të panjohura. 19-vjeçari Erjon Xhenje nuk rezulton person me precedentë penale. Si ai ashtu edhe familja e tij nuk kishte konflikte me asnjë person. Ata jetonin në lagjen Guerrile dhe ishin një familje e qetë.