Gjykata e Durrësit ka caktuar këtë të shtunë masën arrest në burg për Klodian Berishën dhe Erion Ndonin, të cilët akuzohen se janë përfshirë në vrasjen e Ermir Dedjas, krim i ndodhur në lagjen nr. 18 të Durrësit më 20 maj.

Tre ditë më parë Berisha dhe Ndoni u arrestuan nga blutë e Durrësit, pasi nga hetimet rezulton se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë kontrabanduar në Shqipëri, 2 automjete tip “Seat”, njëri prej të cilëve është shitur dhe më pas është përdorur gjatë vrasjes së shtetasit Ermir Dedja.

Shërbimet e Policisë kanë bërë të mundur gjetjen dhe sekuestrimin në cilësinë e provës materiale, të automjetit tjetër tip “Seat”, i cili ishte kontrabanduar me qëllim për t’u përdorur për një ngjarje tjetër kriminale.

Erion Ndoni, 36 vjeç, banues në fshatin Shkallnur dhe Klodian Berisha, 35 vjeç, banues në Durres, akuzohen për veprën penale “Kontrabanda me mallra të tjera”.

Ndërkohë është në kërkim edhe shtetasi Xhuljano Dyrmishi, 33 vjeç, banues në Durrës, për veprat penale “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje” dhe “Kontrabanda me mallra të tjera”. Në kuadër të hetimeve, 2 ditë pas ngjarjes, janë shpallur në kërkim edhe dy persona të tjerë: shtetasi E. N., 44 vjeç, banues në fshatin Rrashbull dhe shtetasi maroken M. D., 46 vjeç, për veprat penale “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje” dhe “Trafikimi i mjeteve motorike”.

LAJM I LIDHUR: