Vrasja e shqiptarit Ergys Dashi në Ekuador ka ngritur në këmbë autoritetet vendase.

Pasditen e sotme, presidenti i vendit Guillermo Lasso është takuar me drejtorin e policisë dhe kryebashkiaken e Guayaquil-it, Cynthia Viteri.

Viteri deklaroi se dy ditë më parë ka dorëzuar në qeveri bazën e të dhënave në mënyrë që kamerat për njohjen e fytyrës të funksionojnë siç duhet.

Ndërkohë në muajt në vazhdim kamerat do të shtohen në 15 mijë nga 2 mijë që janë aktualisht.

Sipas Viterit një kërkesë që ka mbetur pezull është edhe autorizimi i përdorimit të armëve jovdekjeprurëse për agjentët që po trajnohen për të mbështetur punën e policisë.

Ergys Dashi u ekzekutua mbrëmjen e së shtunës në  Guayaquil të Ekuadorit me një plumb në kokë.

Autori, i cili mbante në dorë një buqetë me lule, shkoi me vrap në drejtim të tryezës ku ai ishte ulur, e qëlloi në kokë dhe u largua.

Pasi ekzekutuan 34-vjeçarin nga Durrësi, autorët hapën zjarr edhe në drejtim të klientëve të tjerë në lokal, duke bërë që të gjithë të gjenin strehim poshtë tavolinave.

Viktima ndodhej bashkë një person tjetër në tavolinë në momentin që u qëllua për vdekje.

Si pasojë e breshërisë së plumbave, e plagosur mbeti edhe një vajzë 26-vjeçare e cila ishte e ulur me një grup të rinjsh pranë tavolinës ku u vra Dashi.

Dyshohet se shkak për ekzekutimin mund të jetë bërë përfshirja e 34-vjeçarit në trafikun e kokainës.

Kartelet kolumbiane konkurrojnë për tregun fitimprurës evropian me meksikanët, shqiptarët dhe rusët.

Për dërgesat në Evropë, kartelet shqiptare dhe Sinaloa krijojnë aleanca.

Tregjet e saj kryesore janë Holanda, Belgjika, Shqipëria, Greqia dhe Spanja.