Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë Tonin Vocaj në një deklaratë për mediat ka bërë të ditur se është finalizuar me sukses operacioni i koduar “TRINOMI” në kuadër të të cilit janë arrestuar 3 bashkëpunëtorë të cilët kanë kryer vjedhje të 24 banesave në Kavajë të ndodhura gjatë vitit 2022 dhe 2 muajve të parë të 2023-shit.

Në kuadër të këtij operacioni u vunë në pranga shtetasit:

– Eraldo Troshku, 21 vjeç dhe Ervis Qoli, 28 vjeç, të dy të dënuar më parë për vjedhje, dhe Enea Meta, 32 vjeç, të tre banues në Durrës. 

Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, nga muaji Qeshor i vitit 2022 deri në muajin Shkurt të vitit 2023, kanë kryer vjedhje në banesa të ndryshme, në rrethin e Kavajës, kryesisht në banesat e emigrantëve.

Nga tërësia e veprimeve hetimore ka rezultuar se këta shtetas janë autorë të 24 rasteve të vjedhjeve në banesa, ku kanë marrë sende me vlerë, orendi, vegla pune dhe pajisje të tjera elektroshtëpiake.  

Pas verifikimeve të kryera ka rezultuar se shtetasit Eraldo Troshku dhe Ervis Qoli bashkëpunonin me shtetasin Enea Metën, për të realizuar vjedhjet dhe për të nxjerrë përftitime prej tyre.