Pas hetimeve të thelluara nga Drejtoria Vendore e Policisë Durrës, në bashkëpunim me Drejtorinë Kundër Narkotikëve dhe Trafiqeve në Departamentin e Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit dhe me Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, u vunë në pranga:

Arben Ferizi, 30 vjeç, banues në Prishtinë, me detyrë administrator në kompaninë që kishte porositur ngarkesën e mishit të pulës në Brazil;
Egert Vargu, 39 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë agjent doganor i kontraktuar nga kjo kompani.

Po ashtu është zbardhur edhe itinerari i anijes së kontejnerëve “Contship Eco” ku u zbuluan mbi 45.5 kg kokainë mbrëmjen e djeshme në Portin e Durrësit.

Më datë 12 qershor anija e nisur nga Brazili ka hyrë në portin e Pireut, Greqi dhe më 13 është nisur nga ky port për në Shqipëri. Anija figuron me flamur liberian, teksa ngarkesa sipas policisë shqiptare kishte destinacion Maqedoninë e Veriut.

Bëhet fjalë për një kontejner të ngarkuar me mish pule, që ishte nisur tranzit nga Brazili, për llogari të një subjekti tregtar në Maqedoninë e Veriut, ku ishte administrator shtetasi nga Kosova, Arben Ferizi.

Si rezultat i kontrollit të imtësishëm të ushtruar në kontejner, në brendësi të ngarkesës me mish pule u gjetën 40 pako me lëndë të dyshuar narkotike kokainë, me peshë 45 kg e 500 gramë.