Konfiskohet një apartament në Durrës me vlerë 120 000 euro, në pronësi të 43-vjeçarit me emrin Julian Sulo.

Ai rezulton i dënuar më parë për veprimtari kriminale në fushat e narkotikëve dhe krimeve kundër personit.

“Nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, u bë ekzekutimi i vendimit të Gjykatës së Apelit Vlorë, për konfiskimin e një apartamenti me vlerë 120 000 euro, në pronësi të shtetasit J. S., 43 vjeç, banues në Lushnjë”.

Konfiskimi i apartamentit u bë në vijim të veprimeve të thelluara hetimore dhe procedurale të kryera në kuadër të një procedimi pasuror të iniciuar ndaj 43-vjeçarit.

Apartamenti i konfiskuar dyshohet se është përfituar nga veprimtari kriminale në fushat e narkotikëve dhe krimeve kundër personit, për të cilat Sulo ka qenë i dënuar.

Vijojnë hetimet intensive për evidentimin e pasurive të tjera në pronësi të këtij shtetasi dhe të shtetasve të tjerë të lidhur me të.