“Dielli më perëndon në Lindje” është romani i parë i Eralda Bazes, që shënon një sprovë të rëndësishme për letërsinë feministe shqiptare.
Ndonëse ky është libri i parë i Bazes për lexuesit, autorja shpalos mjeshtri në rrëfim, guxim në thyerjen e tabuve, zhdërvjelltësi në ngritjen në art të gjuhës, kulturë në profilizimin e realitetit dhe personazheve, sidomos femrave, – të cilat kthehen në viktima të një bote të egër dhe tejet intrigante.
“Romani ‘Dielli më perëndon në lindje’ është një rrëfim në vetën e parë, nga goja e personazhit kryesor, e cila quhet Era. Ajo është një përkthyese e re, si në moshë, ashtu edhe në profesion”, thotë Eralda Baze gjatë një interviste për “DurrësLajm”, teksa nis të tregojë përmbajtjen e romanit, që kritika e ka vlerësuar për gjuhën e pastër shqipe dhe cilësore.