Nga BUJAR QESJA
Mjeshtër i Madh

Kisha kohë që nuk e kisha prekur boksin. Jetoj me traditën e hershme, ku Durrësi dhe “Lokomotiva” vendoste kurora lavdie, për një prej sporteve më popullore. Krenaria e kësaj tradite nuk ka gjasa të shuhet kurrë, pasi është vendosur me pasionin dhe kurajon e një brezi të artë. Parku i famshëm sportiv “Nako Spiro”, nga monumentet dinjitoze të sporteve të lojrave me dorë, mbetet i palëkundur në memorie. E prej këndej, duket se edhe tani pas 70 vitesh, jehona e inkurajimeve historike të atyre që quhen zjarrmëtarët durrsakë të boksit, vjen po aq e fuqishme si në atë kohë.

Themelues të kësaj tradite janë ato yje, që shkëlqejnë në qiellin gjigand të arritjeve, duke i vendosur në podin më të madhërishëm të fitimtarit Hilmi Rekën, Ramiz Rekën, Hysen Sharrën, Ymer Reçin, Mustafa Allushin, Martin Çetën, Selim Bardhetin, Vlash Currin, Abaz Zallën, Hekuran Shkabën, Skënder Sadushin etj. Ky brez shtroi trasenë tërheqëse, ku kaloi treni i stërmadh i sukseseve të boksit të Durrësit. U pozicionuam këtu, për atë që po ndodh në boksin durrsak që pas vitit 1990, kur u rinis sporti i dorezave, pas atij vendimi absurd të ndalimit në vitin 1963.

Dhe ishin po këta, grushtuesit e fundviteve 50-të Ymer Reçi dhe Hekuran Shkaba. Nga kopështi i pasur i boksit, dolën portrete që ndezën traditën si Kreshnik Qato dhe Antonet Rrapushi, ku nuk mund të mohohet puna kolosale e Dilaver Hasimit, specialistit të ringut i shkollës së mesme të mjeshtërisë sportive “Bernardina Qerraxhia”. Dhe në mesin e viteve 2000, boksi do trajnohej nga një tjetër mjeshtër dhe pasionant me emrin Neki Abazaj. Nga puna e tij dhe e mbështetësve të tjerë, do të dilnin boksierë niveli si Faslli Selimi, Ardit Nurja, Enton Kikrri etj.

Durrësi i ka dhënë boksit edhe dy dëshmorë, që ndalën frymëmarrjen në ring. Me asnjë klub tjetër nuk ka ndodhur kjo. Në vitin 1959, në Shkodër, teksa boksonte skëndërbegasi nga Durrësi Abazali Haxhiaj, pas fitores, mbase goditja e pakontrolluar e kundërshtarit i shkaktoi humbjen e jetës. Dhe me 28 prill të vitit 2011, në ringun fierak boksieri i “Teutës” po goditej pa rregulla dhe teknike loje nga kundërshtari. I shqetësuar për dëmtimin e boksjerit të tij, trajneri Neki Abazaj proteston ashpër pranë gjyqtarit, “ma mbytët djalin”. Ankthi dhe përjetimi i tejskajshëm shpirtëror, e goditën fatalisht Nekiun tonë aq të mirë, të dashur dhe punëtor, duke dhënë jetën pranë litarëve të ringut.

Është kjo traditë, janë këto kapituj krenarie të përkushtimit maksimal ndaj boksit, që nxit motivimin e një brezi po të tillë pasionantësh, por duke i dhënë përmasa më të avancuara angazhimeve të tyre. Zhvillimi i boksit në Durrës, nëpërmjet ngritjes së shoqatës së njohur të boksit “Titan Fights”, po kulmohet. Dhe po vjen dita e madhe, ku protogonistë të zhvillimit të boksit në Durrës, kanë bastin e jetës.

Në vitin e tretë të organizimit, kjo e 13 nëntorit 2022 është magjike. Jam dorëlëshuar paksa në figuracion, pasi kur njihesh me atë organizim aq të jashtëzakonshëm, bindesh së Durrësi ndodhet pranë veprimtarisë më mahnitëse të ndodhur më parë. Do të flas në shkrimet e rradhës, për të mësuar më shumë rreth asaj, që pritet të ndodhë me 13 nëntor 2022.

Presidenti i “Titan Fights” Fred Shoshi, është nga njerëzit më energjikë që mund të kem hasur. Pasioni i tij për boksin, shkon deri në qiell. Xhepi i tij është “copëtuar” financiarisht, duke ia dhënë me gjithë shpirt fidanishtes më të re të boksit, mbjellë në kopështin e artë të një pune po aq pasionante dhe të zellshme. Fred Shoshi si asnjë në këtë Shqipërinë tonë, i ka “falur” boksit dy fëmijët, dritën e syve. Gracianon 12 vjeçar dhe Kleopatrën 10 vjeçare.
Fred Shoshi është i vendosur, ta bëjë boksin në Durrës të preferuar dhe të kthejë durrsakët pranë ringut ,si një herë e në një kohë. Kështu do të ngjallet tradita dhe u bërë më e pasur, më e bukur, më e respektuar. I frymëzuar nga boksjerët e njohur shqiptarë të Gjermanisë Ismail dhe Xhetan Keta, ky Fredi ynë i është “shitur” më gjithë tesha boksit. Ëndërron me sy hapur dhe me sy mbyllur, për atë mrekulli që po i ofrohet boksit.

Fredi ky babaxhan, ky shpirtmadh, ky sakrifikues deri në qelizën e vetme të gjakut, të 90-të bosjerët që stërviten në palestrën moderne “Titan Fights”, i trajton si fëmijët e tij. Gracianon dhe Kleopatrën janë biologjikë, e 88 të tjerët trajtohen si fëmij shpirtërore. Fred Shoshi është i sigurtë, se do ti bëjë shoshë kundërshtarët e ringut, për ta vendosur flamurin valëvitës të traditës, të atij brezi që shikon nga parajsa, se Durrësi është duke u përgatitur të vendosë hegjemoninë. Të kemi durim dhe ta shikojmë shumë shpejt. Dhe 13 nëntori 2022, pritet të jetë magjia e ringut, mrekullia e ringut, ku çudia dhe e pabesueshmja do të ndodhin. Përgatitjet kanë nisur shumë më herët se këtu. Janë në përfundim.

-Bëjua të qartë durrsakëve gazetar, se me 13 nëntor 2022 në pallatin tonë të sportit, ka për të ndodhur e papara. Organizimi është menduar deri në detaje. Kemi siguruar jo pa vështirësi sponsorët. Po japim jo pak edhe nga xhepi i jonë. Qëllimin do ta arrijmë pa tjetër. Do ti kënaqim amatorët e boksit, por jo vetëm. Mund të vij cilido, pasi është menduar që 13 nëntori 2022, të kthehet në shou sportiv dhe artistik. Do të boksohet, por edhe do të këndohet. Ka humor, por do të flitet edhe për traditën. Kupat, medaljet, çertifikatat, muzika në sfond, bufeja, dritat dhe ngjyrat, do ti japin pallatit tonë dhe mjedisit brenda, nga pamjet më spektakolare. Hajdeni dhe do ta shijoni.

Këto më tha Fred Shoshi, ai që boksin e ka në ADN-në e tij. Dhe krah këtij titanasi, është Enton Kikrri. Boksjer elegant, por tani merret me trajnimin. 32 vjeçari i “Titan Fights”, është vazhdues i dinastisë së njohur sportive Kikrri. Pesë vëllezërit Kikrri, Agimi, Ramazani, Meti, Arbeni dhe Shpëtimi mbeten historikë të notit të “Lokomotivës”. Kampionë, rekordmenë, që zgjonin tërë lagjen pranë pishinës së qytetit për të ardhë dhe përfaqësuar Durrësin në not. I jati i Entonit, Shpëtimi, e ka vendosur biznesin e tij në shërbim të boksit. Përkushtimi i tyre nuk mbaron.

-Duam ta bëjmë Durrësin në boks, si ka qenë dikur, madje edhe më të mirë, shprehet Enton Kikrri. Ajo që pritet të ndodhë me 13 nëntor 2002 në pallatin tonë të sportit, do të jetë më shumë se magji. Jemi lodhur, por kjo përbën atë siguri, që brenda jeton suksesi i pritshëm. I kemi kopsitur të gjitha gjërat, deri tek ato që nuk bien në sy. Durrsakët e duan sportin, e duan boksin, e duan të bukurën. Prandaj së bashku të ndërtojmë nga festat sportive më të mëdha, të pandodhura asnjëherë më parë në Durrës.
Atë që se kam bërë me vite, po e bëj këto ditë për boksin. I kam vizituar shpesh Titanët tanë. Sigurisht janë kthyer në luftëtarë të ringut. Palestra e stërvitjes, falë shpenzimeve vetjake të Fred Shoshit dhe Enton Kikrrit, është e pajisur me gjithçka. Fitnesi tek këto Titanë është nga më modernët. Ringu i fjalës së fundit. Mjetet didaktike të stërvitjes mrekulli më vete.

Kam parë 90-të boksjerë të moshave 7-8 vjeç, e deri tek të rriturit që boksonin tërë “inat” me kundërshtarin. Me nerv, me grintë, me një thirrje të fuqishme që instiktivisht u del nga shpirti i boksjerëve, ato grushtonin e grushtonin pa mbarim. Dushe, banjot, garderoba, sauna, mjediset shplodhëse, ndihmonin në përsosjen e stërvitjes. Edhe për vajzat, kushte të tilla të veçanta.

-Durrësi më thanë këtu tek Titanët, është në përgatitjen e një revolucioni total sportiv me boksin, për ti vënë vulën e suksesit të gjitha formave të organizimit lokal, kombëtar e ndërkombëtar.
-Këtu jemi dhe do ta shikojmë, më folën me një gojë Fred Shoshi dhe Enton Kikrri.
Por ajo që më gëzoi, pranë kësaj dyshe të artësh të boksit durrsak, qendron edhe biznesmeni i njohur Ardian Reçi, nipi i mjeshtrit të boksit të “Lokomotivës” Ymer Reçi.
-Kam patur edhe babain tim Besnikun në boks, nget bisedën Ardiani. Në një rast babai dhe xhaxhai, pra Besniku dhe Ymeri, kanë boksuar të dy si rivalë. Natyrisht Ymeri kishte lindur për këtë sport. Jam frymëzuar nga puna fisnike që po bëjnë Fredi dhe Entoni dhe po i qendroj pranë me sa mund.

Me 13 nëntor 2022, jam i bindur se do të ndeshemi me një organizim të realizuar përsosmërisht. Jo vetëm unë, por cilido, veçanërisht biznesi, mund të ndihmojë që vlerat e këtij organizimi të rriten më shumë. Mirënjohje kësaj punë, e cila vërtet të befason. E bëjnë për famën e Durrësit tonë, për traditën e madhe që kemi këtu, për rritjen e masivitetit dhe përsosjen e cilësisë dhe nivelit.

Kam shkruar e shkruar pa u ndalur. Por kënaqësinë dhe ngacmimin e muzës krijuese ndaj kësaj punë të jashtëzakonshem, se kam hasur. Më del për detyrë t’u qendroj pranë e t’i përkrah, ja kështu më lapsin dhe mendimet e mia. 13 nëntori 2022 , pritet të jetë rezervim dinjitoz për historinë e sporteve në Durrës, pse jo edhe në nivel kombëtar.
Fred Shoshi dhe Enton Kikrri, bashkëpunëtorët e tyre, Bashkia e Qytetit, sponsorët e gjetur deri tani, janë në një vijë. Dhe kjo ditë po shikohet dhe trajtohet si një front, ku titanët kërkojnë të demostrojnë fuqinë e artit dhe forcës së tyre.
Titanët po vijnë! Ti presim!