Euro vazhdon që të qëndrojë në kuota të larta kundrejt lekut shqiptar edhe në këtë fillim viti. Kështu një euro është shkëmbyer në tregun e këmbimit valutor me rreth 140 lekë  duke bërë që  prurjet e emigrantëve të mos japin asnjë ndikim në vlerën e saj.

Zakonisht monedha europiane dobësohet kundrejt lekut në periudha festash pasi emigrantët shqiptarë kthehen në Shqipëri duke sjellë me vete dhe të ardhurat nga vendet ku punojnë. Por mesa duket kriza ekonomike gjatë 2012 ka qenë aq e vështirë saqë emigrantët  shqiptarë të  sjellin shuma të papëfillshme për familjet dhe të afërmit duke bërë që ato të mos ndikojnë në forcimin e lekut shqiptar.

Ekspertët e shpjegojnë pozicionimin e euros në këtë vlerë edhe me faktin se ka pak monedhë europiane në qarkullim. Forcimi i monedhës europiane kundrejt lekut shqiptar është i dëmshëm për ekonominë tonë për disa faktorë. Bankat e nivelit të dytë në vend japin kredi në monedhën europiane duke bërë që qytetarët të paguajnë më shumë interesa.

Gjithashtu edhe qeveria dëmtohet pasi paguan më shumë për borxhin e jashtëm.Forcimi i euros prek edhe xhepat e qytetarëve të thjeshtë sidomos në këtë periudhë ku në tregjet tona mbizotëron mall ii importit për të cilin ata detyrohen që të paguajnë më shumë.

Të vetmit që përfitojnë janë eksportuersit pasi e blejnë mallin me lekë dhe e shesin me euro. Euro që prej disa muajve qëndron në këtë nivel i cili prej ekonomistëve përcaktohet si i lartë kundrejt një monedhe vendase dhe pritet që të vazhdojë me këtë trend edhe për disa kohë.