Nëna Afërdita Zogaj nga Prishtina, është e para që lind në vitin 2013. Ajo pikërisht në ora 00:01, ka lindur djalin Edin, e për të cilin tregon se është fëmija i gjashtë, pasi që më parë ka lindur pesë vajza.

Mjekët pohojnë se fëmija i parë i lindur në vitin 2013 është në gjendje të mirë shëndetësore dhe peshon 4 kilogram e 600 gram, ndërsa 58 centimetra i gjatë.Nëna Afërdita është shprehur e lumtur, duke thënë se dhurata më e mirë për vitin 2013 është djali Edi.

“Jam shumë e lumtur që pas 5 vajzave tashmë kam një djalë, e që është dhurata më e bukur për vitin 2013. Urime të gjithëve 2013-ta, gëzuar!”

Për ta përshëndetur dhe uruar nënën dhe Edin e vogël në klinikën e Gjinekologjisë së QKUK-së, erdhi edhe presidentja e Republikës së Kosovës Atifete Jahajga, por edhe drejtori i QKUK-së, Nijazi Gashi dhe sekretari permanent i Ministrisë së Shëndetësisë, Gani Shabani.

“Urova nënën për lindjen e fëmijës në këtë natë të vitit të ri. Nënës dhe Edit të vogël i dëshirova një jetë të gjatë të shëndetshme të lumtur dhe me shumë begati. Të kalojë një fëmijëri dhe një jetë afër dashurisë prindërore, familjare dhe një jetë të suksesshme dhe një të ardhme me plotë të mira dhe mbarë familjen e tij. Dua ta përgëzojë stafin dhe personelin e QKUK-së, klinikën gjinekologjike të Prishtinës dhe gjithë personelin dhe stafin e shërbimeve shëndetësore që gjithmonë japin shërbime kualitative dhe janë pranë qytetarëve”.