Mbrëmjen e së enjtes është organizuar në Durrës aktiviteti i përvitshëm “Festa e ullirit”, që është kthyer tashmë në traditë nga shoqata “Durrësi Autokton”.

Aktiviteti nisi me mbjelljen e fidanëve të ullirit në sheshin pas bashkisë Durrës, për të vijuar më pas me organizimin e një koncerti festiv në sallën e teatrit “Aleksandër Moisiu” në Durrës, ku u nderua me tituj 3 personalitete të fushave të ndryshme, që kanë kontribuar për qytetin e Durrësit.

Tre personalitetet e nderuara ishin:

Shaban Murati – “Nderi i Qytetit të Durrësit” për merita të veçanta në publicistikë dhe në fushën e diplomacisë kombëtare.

Savi Shyti (pas vdekjes) – “Nderi i Qytetit të Durrësit” për kontributin e tij në fushën e shkencës së Zooteknikës dhe Veterinarisë duke aplikuar metoda të reja për rritje rendimenti.

Pëllumb Bulku – “Mirënjohja e Qytetit” për kontributin e tij në fushën e mjekësisë sportive si dhe për humanizmin e lartë që ka treguar me pacientët

Eventi kulturor vijoi më pas me një koncert festiv me këngë dhe skece humoristike nga emra të njohur të skenës dhe ekranit.

Ndiqni videon e mëposhtme realizuar nga Astrit Tahiri, me disa nga momentet më të veçanta të “Festës së ullirit”.