Shoqata “Durrësi Autokton” nderoi mbrëmjen e së martës me titullin e lartë “Nderi i qytetit” 5 emra të njohur të notit durrsak, që ndër vite kanë dhënë kontribut në këtë sport dhe kanë rrëmbyer medalje të shumta.

Notarët Niko Kurani, Hysen Haxhihaj, Shyqyri Qepali, Shpëtim Damini dhe Ferid Velja janë nderuar gjatë një ceremonie festive, me numra baleti dhe repertor të pasur artistik. Nderimi i këtyre emrave të njohur të sportit u bë në kuadër të edicionit të radhës të “Festë deti 2022”, të mbajtur në Qendrën Kulturore “Aleksandër Moisiu” dhe të moderuar nga bibliografia Teuta Dhima.

Gjatë aktivitetit u shfaqën 5 dokumentarë, që hidhnin dritë mbi jetën dhe karrierën e 5 notarëve të shquar të qytetit.

Siç është kthyer tashmë në traditë të përvitshme, “Festë deti 2022” startoi me një xhiro me anije në det, nga i cili ka marrë emrin kjo festë qytetase.