Festa e Detit 2025, nën organizimin e Shoqatës “Durrësi Autokton”, solli një aktivitet të veçantë në kuadër të edicionit të saj tradicional dhe në prag të 25 Qershorit – Ditës së Marinarit.
Qytetarë, fëmijë dhe turistë u bënë pjesë e një lundrimi të paharrueshëm përgjatë bregdetit të Durrësit, me rimorkiatorin “Epidamn” e mundësuar nga z. Bujar Hoti. Gjatë udhëtimit, pjesëmarrësit shijuan muzikë në bord dhe u njohën më nga afër me historinë dhe bukuritë natyrore të gjirit të Durrësit, ku ky lundrim solli promovimin e turizmit lokal.
Pas lundrimit, aktivitetet vijuan me një ceremoni festive ku u interpretuan këngë dhe valle tradicionale nga këngëtarët Dhimitër Stefa, Luljeta Strefi, Violeta Beshiri dhe grupi i baletit të studios së Arian Plakut.

Në këtë atmosferë festive u nderuan tre figura të shquara të detarisë durrsake, kapiten Hamdi Domi, kapiten Halim Milaqi, dhe Z. Dashamir Janina.
Për jetën dhe kontributin e tyre u shfaqën dokumentarë të shkurtër të realizuat nga Astrit Tahiri dhe secili prej tyre u vlerësua me çmimin “Mirënjohja e Qytetit të Durrësit” me motivacionin: për kontributin e tyre në profesionin e detarit dhe gjurmët që kanë lënë me historinë e shkruar të flotës detare shqiptare.
Një ditë që i kushtohej detit, kujtesës kolektive dhe identitetit historik të qytetit bregdetar të Durrësit – duke e kthyer “Festën e Detit” në një simbol të gjallë të trashëgimisë sonë detare.