Nga Gëzim Kabashi

Edicioni i 17-të i Festivalit Ndërkombëtar të Muzikës së Dhomës ka mbërritur në gjysmën e rrugëtimit të tij.
Që nga 28 qershori në mjediset e Muzeut Arkeoloogjik Kombëtar të Durrësit artdashësit e muzikës klasike kanë ndjekur pesë koncerte, ndërsa po aq të tjerë të zhvillohen deri më 27 korrik, ditën kur Festivali do të ulë siparin e tij për këtë vit.

Instrumentistët janë paraqitur me formacione të voglaa Duo, Trio dhe Kuartete, ndërsa nuk ka munguar edhe një oktet koral.

Violinistja Nevila Kalaja, drejtuese e kësaj veprimtarie të përvitshme është e kënaqur me ecurinë e Festivalit.
“Ka një rritje të nivelit artistik, ndërsa ansamblet pjesmarrëse kanë një historik mjaft të pasur koncertor – thotë Nevila Kalaja.

Sipas saj, këto elemente çojnë në realizimin e pikësynimit për një format me kohëzgjatje 2-mujore gjatë gjithë sezonit të verës dhe me grupe të çertifikuara”.

Në 10 koncertet e programuara të këtij edicioni marrin pjesë 58 instrumentiste dhe koristë nga Italia, Greqia, Gjermania, Austria, Sllovenia dhe Shqipëria.

Në Festivalin e këtij viti pjesa më e madhe e artistëve vijnë për herë të parë, ndërsa nuk mungojnë edhe instrumentistët e përhershëm Nevila Kalaja, Merita Rexha dhe ata të ansamblit “Wiener Kammersymphonie Quintet”.
“Këta të fundit prej 3 vjetësh janë bërë pjesë e projektit të bashkëpunimit me studentët.

Edhe në këtë edicion ata do të koncertojnë së bashku, dhe sigurisht para koncertit janë programuar edhe seancat e masterklasave të studentëve me këta instrumentistë – shton organizatorja Kalaja.

Salla kryesore e Muzeut Arkeologjik Kombëtar në Durrës mikpret prej shumë vitesh koncertet e Festivalit, ndërsa spektatorët e shumtë nuk mungojnë për të ndjekur të rejat e edicionit të radhës.

Nevila Kalaja beson që kjo është zgjidhja më e bukur për këtë aktivitet, siç është e dukshme edhe kënaqësia e pjesmarrësve.

Organizatorët janë të kënaqur me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës dhe Bashkisë, e po ashtu edhe atë të Ambasadave dhe Instituteve të Austrisë, Italisë, Sllovenisë dhe Greqisë.

Sot në mbrëmje Festivali do të vijojë me koncertin e Trios “Lanzini”, ndërsa më 23 korrik artistët do të performojnë në pikën turistike të “Kepit të Rodonit.