Një festë e vërtetë plot tinguj, alegri, ngjyra dhe kostume popullore ka qenë mbrëmja e së enjtes në arenën e Amfiteatrit të Durrësit.
Festivali i muzikës dhe valleve ka bërë bashkë rreth 400 pjesëmarrës nga 8 vende të ndryshme si Ukraina, Polonia, Bullgaria, Rumania, Mali i Zi, Bosnje & Hercegovina, Kroacia, Turqia dhe Serbia, si dhe vendi mikpritës Shqipëria.
Për vetë protagonistët, ky aktivitet është një pikë takimi për kulturat e vendeve pjesëmarrëse.
Duke e cilësuar Shqipërinë si të veçantë dhe mbresëlënëse, shumë prej tyre shprehen mjaft të lumtur që ndodhen në Durrës.
“Jemi shumë të lumtur që përfaqësojmë Shqipërinë. Kemi zgjedhur valle të Shqipërisë së Mesme.”
“Jemi nga Polonia, përfaqësohemi me dy grupe. Është hera e dytë që vijmë këtu dhe na pëlqen shumë atmosfera.”
“Jemi nga Bullgaria dhe jemi shumë të emocionuar që performojmë këtu. Një eksperiencë e mrekullueshme.”
“Është hera e parë që marr pjesë. Një festival shumë i bukur dhe kënaqësi të jesh në një vend kaq të veçantë.”
Zoran Strezovski, President i World Festival Association tregon se ky është edicioni i 32 – të i këtij aktiviteti, që është kthyer tashmë në një traditë, që rikthehet gjatë sezonit turistik në Durrës.
“Ky festival e ka nisur rrugëtimin në Durrës që nga viti 2016. Çdo vit kemi më shumë pjesëmarrës që sjellin kulturën e tyre dhe njohin atë shqiptare. Sivjet kemi vendosur të sjellim edhe një edicion tjetër në Sarandë, në muajin tetor.”
Festivali i muzikës dhe i valleve ka tërhequr vëmendjen e artdashësve, jo vetëm vendas, por edhe të huaj, që tejmbushën Amfiteatrin e Durrësit.
Eventi kulturor do të vijojë përgjatë gjithë sezonit veror, duke përcjellë larmishmërinë e muzikës, valleve dhe kostumeve popullore të të gjitha vendeve pjesëmarrëse në kryeqytetin e turizmit.
M.B.