Është shoqata e parë e krijuar në Shqipëri në vitet e demokracisë dhe momenti i themelimit të saj daton më 10 shkurt 1991.
Pasditen e së martës, shoqata “Durrësi Autokton” festoi 34-vjetorin e themelimit të saj. Ceemonia e organizuar me këtë rast u mbajt në hollin e Qendrës Kulturore “Aleksandër Moisiu” ku përmes një dokumentari dhe një foto ekspozite u realizuar një rrugëtim në vite për figurat e nderuara të qytetit, që e krijuan shoqatën dhe mbajtën gjallë veprimtarinë e saj ndër vite.
“Kjo shoqatë u krijua si jo fitimprurëse dhe ka pasur si qëllim të saj ruajtjen e vlerave kulturore, artistike e historike të këtij qyteti të lashtë 3000-vjeçar. S’mund të lë pa përmendur këtu themeluesit e saj që janë doktorët Koço Moisiu, Zef Kaçulini dhe Ali Sula, profesor Halil Myderrizi dhe më i ri i kësaj shoqate dhe promotori i saj Shpëtim Metani.”,- deklaroi kreu i shoqatës Abdulla Deliallisi.
Gjatë mbrëmjes, të pranishmit patën mundësi të ndiqnin interpretime të ndjera të këngëtareve Violeta Beshiri dhe Lizarda Beqiraj si dhe të njiheshin nga afër me vlerat që përcjell libri me tregime dhe novela “Ata të dy dhe deti”, të autores durrsake Hiqmete Daja.

Gjatë mbrëmjes, u nderua me titullin e lartë “Nderi i Qytetit të Durrësit” mjekja e njohur Eda Harizi, e cila u vlerësua për kontributin e dhënë ndër vite në fushën e shëndetësisë.
M.B.