Angelo Tafas ishte ndër protagonistët e fitores së Teutës ndaj Laçit pasi me pritjet e tij i dha suksesin durrsakëve. Një fitore që ka larguar skuadrën nga vendi i 9-të në renditje, ku gjendet prej tri javësh. Tafas foli për sfidën me Tiranën dhe çfarë pret në këto 180 minuta të fundit të sezonit Teuta. Gardiani e pranoi momentin e mirë që po kalon ekipi dhe beson se ndaj Tiranës, Teuta do të jetë e fokusuar 100% dhe do të arrijë të marrë maksimumin.

Teuta tregoi ndaj Laçit se kur angazhohet në maksimum, mund këdo. Sa vlen ky sukses?

Vlen tri pikë dhe një hap përpara. Ekipi bëri atë që duhej. Të fitonte ndeshjen, por ky sukses na jep besim për sfidat e radhës. Edhe pse me rezultat minimal ishte një tripikësh me shumë vlera mjaftueshëm për t’u larguar disi nga zona e kuqe. U pa një Teutë me dëshirë për të fituar e qarkullim të topit në të gjithë sektorët e fushës.

A ishte fitorja ndaj Laçit një mesazh për rivalët?

Ne duhet t’i japim mesazh vetes, por është gjithashtu e vërtetë që këtë javë fituam kur dhe të gjithë të tjerët fituan. Duhet të rikuperojmë dhe të bëjmë mirë.

Riktheheni pas një dëmtimi 3-javor dhe shpalleni lojtari i ndeshjes…

Jam i lumtur me për trofeun personal, por më i lumtur që u riktheva dhe që luajta të shtunën. Më vjen mirë që morëm 3 pikë. Mundohem të punoj çdo ditë për të përmirësuar defektet që kam dhe shpresoj që rritja ime të vazhdojë në mënyrën më të mirë.

A mund të themi që tanimë keni hedhur një hap të sigurt drejt qëndrimit në Superiore?

Nuk ka mbaruar asgjë akoma jemi ende në garë kur ta sigurojmë matematikisht, atëherë do të jemi të qetë. Jemi në fazën më vendimtare të kampionatit. Na presin dhe dy ndeshje të vështira, por unë mendoj që nëse vijomë kështu me “këmbë në tokë” dhe të punojmë fort në stërvitje do të bëjmë mirë. Na pret një ndeshje e vështirë me Tiranën dhe shpresojmë ta kalojmë me sukses.

Si është gjendja e skuadrës në prag të ndeshjes me Tiranën?

Gjendja e skuadrës është shumë e mirë. Harmonia dhe çdo gjë është në rregull, tani shpresojmë që t’ia dalim me sukses në ndeshjen me Tiranën dhe Egnatian.

Keni përballë Tiranën, sa e vështirë do të jetë kjo ndeshje?

Padyshim që Tirana kërkon përqendrim maksimal, pasi është një skuadër shumë e mirë dhe ka cilësi brenda. Gjithsesi, kundër Tiranës ditën e shtunë do të kërkojmë të ruajmë vazhdimësinë e të marrim një rezultat pozitiv.