Në mesazhin e tij për mbështetësit dhe anëtarët e PD që e votuan, Igli Cara, fituesi i Primareve në Durrës ka falenderuar këdo që shprehu verdiktin e tij me votë.

Ndërsa falenderon edhe kandidatin rival Armand Dervishi, Cara thotë se përpara është fushata e 14 majit, ku objektivi primar është sjellja e ndryshimit të shumëpritur në bashkinë Durrës.

“Në përfundim të një proçesi model, ku mbizotëroi qytetaria, falenderoj përzemërsisht çdo demokrat, anëtar apo simpatizant, që foli sot me votë.

Pjesëmarrja e lartë rikonfirmoi rëndësinë dhe vlerën që ka vota e çdo anëtari të kësaj familjeje të madhe politike, duke treguar se në këtë garë nuk ka të humbur.

Një falenderim i veçantë për kandidatin, Armand Dervishi, që u bë pjesë e këtij proçesi. Së bashku me çdo qytetar të Bashkisë së Durrësit kemi përpara betejën e madhe të 14 majit, me objektivin e qartë dhe të pandryshueshëm, për të sjellë ndryshimin e shumëpritur!

T’i rikthehet Bashkia e Durrësit qytetarëve të saj!

Partia Demokratike mbetet një derë e hapur për këdo, që beson te demokracia dhe liria e fjalës, me besimin që Shqipëria bëhet!Faleminderit me zemër!”,– shkruan Cara në rrjete sociale, ndërsa pozon së bashku me kandidatin Dervishi.