Një tjetër shfaqje teatrale është vënë në skenë nga nxënësit e klasës së III-B, të shkollës 9-vjeçare “Marie Kaçulini” në Durrës.
Ashtu siç edhe bashkëmoshatarët e tyre fundjavën e kaluar, të cilët interpretuan me mjaft mjeshtëri pjesën “Sonte nuk jam vetëm”, këtë të dielë ishte radha e shfaqjes “Fluturimi i njëbrirëshit me krokodilin”.
Kjo është shfaqja e dytë e ideuar dhe organizuar nga lektorja Alma Dema dhe që vjen si një nismë e parë e këtij lloji në qytetin bregdetar, me synimin e qartë për të ndërgjegjësuar shoqërinë tonë për më tepër përkujdesje dhe vëmendje ndaj fëmijëve talasemikë, të cilët do të ndihmohen përmes të ardhurave të mbledhura nga shitja e biletave.

Historia rrëfen se një njëbrirësh ikën nga shtëpia pa leje, sepse do të shikojë botën dhe menjëherë e kupton sa gabim ka bërë, por nuk kthehet më dot pas, se ka humbur fuqinë fluturuese, të cilin e ka te briri i tij. Briri i tij ndrin e shkëlqen vetëm nëse, njëbrirëshi rrethohet e trajtohet me shumë dashuri.

I gjendur i vetëm në Pyllin e Gjelbert, ai njihet me zogjtë binjakë, Zogun Zig dhe Zogun Zag, Krokin, djalin e mbretit të Pyllit të Gjelbër, të cilët përpiqen me mish e me shpirt jo vetëm ta ndihmojnë mikun e tyre të rrallë, por venë edhe veten e tyre ne rrezik, në emër të miqësisë dhe dashurisë, që për ta është çelësi i çdo gjeje.
Fabula ka si qëllim të ndërgjegjësojë fëmijët për nevojën e fëmijëve për të fluturuar larg çerdhes për të ndërtuar marrëdhënie të reja, për provuar përvoja të bukura dhe për të kuptuar veprimet dhe mosveprimet e tyre ndërmjet shqisave të tyre.

Skenat janë ndërtuar me finesë, humor dhe lojë të pastër fëminore, duke përcjellë një mesazh të fuqishëm për përfshirjen sociale dhe kujdesin ndaj fëmijëve në nevojë.
Dy shfaqjet teatrale, të vëna në skenën e Qendrës Kulturore të Fëmijëve Durrës, dëshmuan se edhe fëmijët mund të jenë protagonistë të ndryshimit shoqëror dhe mbështetjes ndaj bashkëmoshatarëve të tyre në vështirësi.
