Dy prindër të rinj shqiptarë në Greqi janë arrestuar nga policia greke për dhunë ndaj foshnjes së tyre 4-muajshe.

Babai, një 20-vjeçar me origjinë shqiptare, akuzohet për dhunë në familje, ndërsa mamaja e foshnjes, akuzohet për armëmbajtje pa leje dhe posedim të lëndëve narkotike pasi në banesë iu gjet një armë dhe një sasi e vogël hashashi.

Sipas shtypit grek, ishin vetë prindërit ata të cilët dërguan foshnjen në spitalin e fëmijëve në Athinë. Mjekët vlerësuan se foshnja 4-muajshe duhet të futej me urgjencë në intubim. Për shkak të gjendjes së rënduar, fëmija duhej të dërgohej në Spitalin e Atikës në Athinë për mjekim të specializuar. Dhe kështu ndodhi.

Mjekët grekë thanë se foshnja ka dëmtime në kokë dhe mavijosje në trup. Bluzat e bardha njoftuan menjëherë policinë pasi konstatuan shenjat e dhunës në trupin e foshnjes.