Edi Rama është kërcënuar me jetë dhe një person është arrestuar për këtë ngjarje. Ky është lajmi që qarkullon në media prej pak orësh ende pa një burim zyrtar.
Top Channel nxorri i pari foton më poshtë të një të riu të quajtur Andrea Kurti, i cili raportohet se është arrestuar pasi ka kërcënuar kryeministrin me jetë.
Burimet e pakonfirmuara informojnë mediat online se Kurti, nga Puka, jetonte me qira në zonën e “Unazës së Re” dhe e ka kërcënuar Ramën me telefon e në rrjete sociale.
News 24 raportoi së fundmi se në një prej mesazheve kërcënuese personi i arrestuar i shkruante Ramës: “Do të të fus plumbin ballit”. Ndërkohë, ai i kishte fshirë mesazhet kërcënuese nga telefoni, por sipas këtij raportimi, kanë qenë ekspertët që i kanë rikthyer sërish. Më shumë detaje dhe një reagim zyrtar për të konfirmuar vërtetësinë e kësaj ngjarje priten në vijim.