4 fotografë italianë dhe durrsakë u bënë bashkë në ekspozitën “Fotografia që bashkon”.
40 foto bardhë e zi që sjellin shumëçka nga qyteti bregdetar dhe njerëzit e tij.
Bruno Minopoli dhe Giuseppe Mancino, megjithëse janë nga Italia, Durrësin e njohin mirë, pasi kanë vendosur të jetojnë në këtë qytet. Përmes objektivit të tyre, ata sjellin këndvështrimin e tyre për qytetin antik, që shtrihet buzë Adriatikut.
“Unë banoj në Shqipëri prej 4 muajsh dhe është kënaqësi të bashkosh në një të vetme jetesën këtu dhe pasionin tim për fotografinë”,- thotë Bruno Minopoli, që për herë të parë po ekspozon fotografitë e tij.
“Sipas meje, fotografitë dëshmojnë ekzaktësisht si është Shqipëria. Mua më pëlqen shumë të fotografoj periferinë, sepse ajo tregon vërtet si është një vend. Qendra është gjithnjë vendi më i sistemuar, në çdo qytet të botës”,- deklaroi fotografi Giuseppe Mancino.
Ndërkohë, për dy fotografët e njohur të qytetit, Adnan Beci dhe Griseld Hoxha, kjo ekspozitë kolektive është një dëshmi më shumë e lidhjeve të forta mes dy vendeve fqinjë dhe e shkëmbimeve kulturore.
Iniciativa për ekspozitën fotografike i shkon shoqatës “Familja Italba” dhe Marjus Çelës, që përmes këtij aktiviteti kulturor synon të theksojë vëllazërinë kulturore midis Italisë dhe Shqipërisë parë kjo edhe nga objektivi fotografik.
Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më datë 25 maj.
M.B.