Pas dekretimit nga presidenti Ilir Meta për mbajtjen e zgjedhjeve të pjesshme lokale në 6 bashki, mes të cilave dhe Durrësi, partiitë politike pritet të ndezin motorët për garën elektorale.

Vetëm pak minuta pas firmës së Metës në dekretin presidencial, të gjithë krahët politikë nisën të artikulojnë emrat e parë që mund të jenë kandidatët potencialë për përfshirjen në garën e 6 marsit.

Durrësi që prej fund nëntorit 2019 është pa kryetar bashkie, sepse kryebashkiakja Valbona Sako dhe dorëheqjen vetëm disa muaj pasi kishte marrë postin.

Që nga prilli 2020, bashkia Durrës drejtohet nga kryetarja në detyrë Emiriana Sako, e cila pritet të jetë edhe kandidatura e propozuar nga PS për këto zgjedhje të pjesshme.

E pyetur kohë më parë, nëse do të përfshihej në garën elektorale kurdo që të mbaheshin zgjedhjet lokale, Sako është shprehur se “këto janë vendime që i përkasin Partisë Socialiste”.  Duke parë kohën shumë të shkurtër në dispozicion deri në zgjedhjet e 6 marsit, duket thuajse e pamundur që PS të prezantohet me një kandidaturë të re, për më tepër që bëhet fjalë për një mandat qeverisës të pjesshëm e jo me kohë të plotë.

Ndërsa në kampin e PS situata duket pak e shumë e lexueshme, krejt ndryshe pritet të ndodhë me kandidatët e PD.

Gjasat janë që PD të përfshihet në këtë garë elektorale me dy kandidatura, një nga PD e Bashës dhe një kandidat i pavarur që do të përfaqësojë Komisionin e Rithemelimit.

Futja me dy kandidatë do të ishte vetëvrasje politike për PD, sidomos për synimin e saj për të marrë bashkinë e Durrësit, të cilën e ka “mollë të ndaluar” prej 21 vitesh. Por përballja e dy kandidatëve nga e djathta mund të shërbejë për t’i dhënë demokratëve përgjigjen përfundimtare se kush ka mbështetjen më të madhe mes militantëve dhe bazës, Basha apo Berisha.

Kandidat potencial i Bashës në Durrës pritet të jetë Luan Hoti, kreu i komanduar i degës lokale dhe njëherazi një nga emrat më pranë kryetarit të selisë blu. Hoti ka marrë drejtimin e degës pas dorëheqjes së ish-kreut Ferdinand Xhaferaj dhe gëzon mbështetjen e një pjese të demokratëve durrsakë, për shkak edhe të angazhimit të tij disa vjeçar si sekretar i degës.

Ndërsa kandidat i pavarur, i propozuar nga mbështetësit e Berishës, pritet të jetë urbanisti Ardian Muka.

“DurrësLajm” mëson se kandidati më i votuar i PD në qarkun Durrës në zgjedhjet e 25 prillit, Igli Cara, i deklaruar si mbështetës i Berishës, do të qëndrojë jashtë kësaj gare. Po ashtu edhe Oerd Bylykbashi do të vazhdojë të përfaqësojë Durrësin në Kuvendin e Shqipërisë, pa u përfshirë në vetë të parë në këto zgjedhje të pjesshme për kryebashkiakun e qytetit bregdetar.

Një kandidaturë tjetër e njerëzve të Berishës në Durrës mund të jetë Osman Stafa. I kontaktuar nga “DurrësLajm”, Stafa deklaroi se përfshirjen e tij në garën për kryebashkiak e sheh të rëndësisë dytësore apo tretësore, pasi më e rëndësishme sipas tij në këto momente është unifikimi i PD me një kandidaturë të vetme, që të përfaqësojë demokratët e Durrësit.

M.B.