“Kate Middleton, ka kancer të zorrës së trashë. Princesha e Uellsit po i nënshtrohet kimioterapisë parandaluese, e cila mund të bëhet në shtëpi, pa pasur nevojë të shkojë në spital”, kjo deklaratë e gazetarit belg Marc Roche ka tronditur edhe njëherë opinionin publik.

Në një intervistë për Gala, gazetari i specializuar në çështjet e familjes mbretërore, iu referua formës së kancerit nga e cila vuan Princesha e Uellsit, duke cituar një burim të mirë-informuar.

I pyetur se kur do të kthehej në detyrat e saj mbretërore, ai tha se skenari më i mundshëm do të ishte në qershor ose korrik dhe ajo do të ishte në garat mbretërore në Ascot.

“Duke ditur shqetësimin e saj për t’u dukur gjithmonë sa më mirë, ajo do të kthehet kur të shërohet plotësisht. Një gjë është e sigurt: Nuk duhet të presim një deklaratë të re. Nuk do të ketë asnjë përditësim të mëtejshëm për gjendjen e saj shëndetësore”, thotë Marc Roche.

Kur u pyet se pse princesha zgjodhi ta zbulonte sëmundjen e saj në një video dhe jo në një deklaratë zyrtare, gazetari belg u përgjigj:

“Kate Middleton është një fotografe amatore që ka punuar në modë, kështu që pamjet vizuale janë shumë të rëndësishme për të. Ajo është gjithmonë shumë e kujdesshme për pamjen e saj, imazhin e saj, stërvitet vazhdimisht dhe ha shumë pak. Dhe siç thoshte gjithmonë mbretëresha Elizabeth “duhet të të shohin që të të besojnë”.

Ajo që më bëri përshtypje të veçantë ishte drejtimi i kësaj videoje. E vetme në një stol kopshti, me xhinse, grim minimal, unaza e princeshës Diana si elementi i vetëm mbretëror.

Kate Middleton donte të tregonte se është afër popullit dhe në veçanti t’i bënte thirrje brezit të ri, i cili nuk e mbështet aq shumë monarkinë”.