Gërmimet e nisura më datë 20/09/2023 për realizimin e projektit për rindërtimin e shkollës “Gjergj Kastrioti”, nxorrën në dritë një zbulim shumë të rëndësishëm arkeologjik për Durrësin, një zonë të shtruar me mozaik dhe disa struktura muresh. Në atë kohë u pezulluan menjëherë punimet, të cilat edhe sot e kësaj dite nuk kanë nisur ende.

Mozaiku i zbuluar është i përbërë nga gurë ngjyrë blu të errët dhe të bardhë, ku paraqiten figura gjeometrike dhe floreale i përket fundit të shekullit të I dhe fillimit të shekullit të II dhe është pjesë e një vile luksoze që ndodhej pranë amfiteatrit të Durrësit.

Disa ditë më parë, bashkia Durrës ka mbyllur tenderin “Gërmime Arkeologjike i Mozaikut dhe Rrënojave të Tjera Antike në Shkollën e Mesme Gjergj Kastrioti”, për të cilin janë akorduar 13,811,500 lekë.

Shpallja e firmës fituese të tenderit do t’i hapë rrugë nisjes së gërmimit arkeologjik për të kuptuar se çfarë fsheh tjetër nëntoka e kësaj zone. Kohëzgjatja e realizimit të gërmimit parashikohet të jetë 60 ditë pune.

Gërmimi do të kryhet deri në thellësinë që kërkohet nga projekti 6.75 m.

Ndërkohë, për fatin e shkollës së mesme, projekti i të cilës është gati prej kohësh autoritetet shqiptare dhe UNDP nuk kanë ende një përgjigje konkrete, sepse gjithçka do të vendoset pas përfundimit të gërmimit arkeologjik dhe zbulimeve që mund të dalin në dritë.

“DurrësLajm” po sjell më poshtë të gjitha fazat e procesit, që do të realizohet në terren për zbulime të mëtejshme arkeologjike, të cilat janë përfshirë në dokumentet e tenderit.

Si do të kryhet gërmimi?

Zona ku do të kryhet gërmimi arkeologjik përfshin gjurmën, ku do të ndërtohet shkolla “ Gjergj Kastrioti”, Durrës. 70% e gërmimit në këtë gjurmë ka arritur kuotën sipas projektit 6.75 m thellësi. Duke qënë se në pjesën e mbetur janë hasur gjetjet arkeologjike si mozaik, linja muresh, fragmente afresku, pjesë kolonash, (të cilat shtrihen në zonën e pa gërmuar deri tani), është e nevojshme që e gjithë kjo zonë duhet t’i nënshtrohet gërmimit arkeologjik.

Gërmimi do të ndahet në dy zona : Zona me gjetje linjash muri dhe Zona me Mozaik.

Gërmimi do të kryhet paralel në të dy zonat për të shpejtuar procesin e gërmimit arkeologjik. E gjithë zona e gërmimit mund të përfshijë 1500 m³ – 1800 m³ heqje dheu për të arritur në kuotën 6.75 m thellësi. Sipërfaqja e gërmimit paraprakisht mendohet të arrijë në 560 m².

Ndërhyrjet që do të kryhen në terren

Aktualisht nuk njihet gjurma e plotë e shtrirjes së mozaikut.

1.Nëse mozaiku do të vazhdojë shtrirjen e tij në pjesën ku aktualisht është e mbuluar nga dherat, gërmimi i tij do të vazhdojë, pasi investitori të marrë masa për sigurinë e zonës, e cila aktualisht ka rrezikshmëri të lartë të shembjes së dherave.

2.Gërmimi i mozaikut do të kryhet nga specialistë të fushës për këtë proces.

3.Gjatë gërmimit në gjithë këtë zonë, ku shtrihet mozaiku, do të kryhet procesi i sitjes së dheut.

4.Do të kryhet pastrimi i tij sipas standarteve më të larta për mozaikë.

5.Të gjitha pjesët e dëmtuara do të ruhen sipas rendit përkatës.

6.Pas përfundimit të gërmimit të mozaikut do të kryhet dokumentimi i tij me fotogrametri, planimetri 3D, vizatim fizik në letër kalk me përmasa reale, dron, etj.

Realizmi i gërmimeve do të bëhet i kombinuar me arkeologë, ndihmës arkeologë, punëtorë dhe mjete mekanike. Në grupin e punës do të përfshihen dhe specialistë për gërmimin e mozaikut.

Për gjetjet arkeologjike do të angazhohen dhe specialistë laborant për analizimin dhe konservimin e gjetjeve si: bronz, hekur, bakër, kallaj, argjend, ar, konservim i drurit, konservim të qeramikës etj.

I gjithë dheu i cili do të gërmohet do të depozitohet brenda territorit të kantierit, i cili do të kontrollohet për t’u siguruar mos humbjen e gjetjeve të fragmenteve të ndryshme apo monedhave që mund të përmbaje siti.

Të gjitha objektet arkeologjike të zbuluara gjatë gërmimit arkeologjik janë pronë e shtetit shqiptar në bazë të Ligjit Nr 27, datë 17.05.2018, “Për Trashëgimisë Kulturore. Regjistrimi dhe depozitimi i tyre kryhet konform dispozitave të këtij ligji. Materialet arkeologjike do të depozitohen pranë Muzeut Arkeologjik në Durrës.

Potenciali arkeologjik i zonës

Sheshi ku do të realizohet gërmimi arkeologjik gjendet në jug të qytetit të Durrësit, në zonën B të zonifikimit arkeologjik. Në këtë zonë të qytetit 3000-vjeçar në të kaluarën janë zbuluar shumë gjetje të rëndësishme arkeologjike, të cilat po i listojmë më poshtë.

Vendgjetjet më të rëndësishme:

Nr. 1. Afërsisht 186 m gjendet muri i fortifikimit të antikitetit të vonë dhe mesjetar. Ky mur gjendet në një disnivel që ka luhatje, si pasojë e faktit që ngjitet në shpatin e kodrës. Në pikën më të afërt gjendet me një disnivel prej më shumë se +6 m lartësi në krahasim me sheshin e kërkuar.

Nr. 2. Afërsisht 127 m gjendet gërmimi i realizuar në vitin 2007 nga Adrian Anastasi, ku u identifikua një rrugë proçesuale dhe disa varre. Ky shesh gjendet në një disnivel prej mbi +20 m lartësi në krahasim me sheshin e kërkuar.

Nr. 3. Afërsisht 283 m gjendet gërmimi i realizuar në vitin 2011 nga DRKK Durrës, ku u identifikua një mur i ndërtuar me gurë.

Nr. 4. Afërsisht 240 m gjendet një shesh ku janë identifikuar gjurmë të një punishteje qeramike të shek. I para Krishtit

Nr. 5. Afërsisht 92 m gjendet një shesh gërmimi realizuar në vitin 2017 nga firma e linçecuar “AkeR”, ku u gjetën gjurmë muresh antike. Ky shesh gjendet në një disnivel prej afro +2.5 m lartësi në krahasim me sheshin e kërkuar.

Nr. 6. Afërsisht 170 m janë gjetur dy varre monumentale të periudhës romake. Kjo vendgjetje është në disnivel prej afro +8 m mbi sheshin e kërkuar.

Nr. 7. Afërsisht 18 m gjendet kisha ortodokse e Shën Gjergjit, ndërtuar pas vitit 1993. Kjo kishë gjendet në një disnivel prej afro +5 m mbi sheshin e kërkuar.

Nr. 8. Afërsisht 146 m është gjetur një furrë për prodhimin e qeramikës, që sot ruhet në Muzeun Arkeologjik Durrës. Kjo vendgjetje është në një disnivel prej afro -6 m në krahasim me sheshin e kërkuar.

Nr. 9. Afërsisht 80 m gjendet një shesh gërmimi i realizuar në vitin 2017 nga firma e linçecuar “AKeR”, ku u gjetën tre furra për prodhimin e qeramikës. Kjo vendgjetje është në një disnivel prej afro -7 m në krahasim me sheshin e kërkuar.

Nr. 10. Afërsisht 62 m gjendet një shesh i gërmuar nga ana e ASHA-s në vitin 2011, ku nuk janë evidentuar gjetje strukturash antike.

M.B.