Fantazi dhe kreativitet, artistë shqiptarë edhe ndërkombëtarë, por edhe shumë sy kureshtarë që do të kenë mundësi të ndjekin live realizimin e skulpturave në rërë.

Të gjitha këto së bashku në një aktivitet që pritet të organizohet për 3 ditë me radhë në plazhin e Durrësit.

Nëse keni dëshirë të shihni nga afër sesi të apasionuarit për të bërë art me rërë do të realizojnë punimet e tyre, rezervojini këto data 17-19 maj.

Nën kurimin e arkitektit Indrit Hamiti dhe mbështetjen e bashkisë Durrës dhe Klubit Rotarakt Durrës, pritet të hapë siparin më 17 maj eventi “Seaside sand art”.

“Ky është shansi juaj për t’u kredhur në botën e të bërit art me rërë, për të treguar kreativitetin tuaj në një kanavacë të madhe, të krijuar nga vetë natyra”,- thuhet ndër të tjera në postimin në Instagram lidhur me eventin në fjalë.

Thirrja për të gjithë artistët që duan të marrin pjesë është hapur tashmë, ndërkohë që punimet do të vlerësohen nga një juri profesioniste me emra të mirënjohur të artit pamor si Qazim Kërrtusha, Alfred Milot Mirashi, Artan Shabani, Alket Meslani dhe Kejdi Sejdini.

Ky event pritet të tërheqë jo pak vëmendjen edhe të turistëve të huaj apo pushuesve vendas dhe të shërbejë si një ogur i mirë për promovimin e qytetit bregdetar në prag të sezonit turistik.