Nga BUJAR QESJA
27 dhjetor 2024, 65-vjetori i lindjes
Lapsi im sot ndalet tek një portret shumë i njohur. I vëmëndshëm ky laps, nuk kishte se si të mos skicoj figurën e një mjeshtri të sprovuar të fotografisë.
Ime shoqe Kostandina, “vë duart në zjarr”, për të mos kursyer deri në përqindjet maksimale, opinionin e palëkundur pozitiv për Gëzim Domin. Flet kështu pasi e ka njohur që të njomë në fabrikën e duhan cigareve “Telat Noga”.
Aso kohe primar ishte Ali Zalla. Por Gëzimi me shumë durim hodhi ” dashuri me shikimin e parë” ndaj aparatit fotografik. Dhe u “martua” përjetësisht me këtë magji të fiksimit të pamjeve.
Donte punën. I donte njerëzit. Buzagaz me secilin. Adhuronte natyrën dhe e bënte njësh me shpirtin e tij prej artisti. Punoi e punoi, duke hipur i sigurtë në shkallët e pasionit dhe të mjeshtrisë.
Ecuria mbeti galopante, aq sa sot mund të pohojmë pamëdyshje, se kemi të bëjmë me një profesionist dhe usta të regjur të aparatit fotografik.
Jo unë, por mjaft të tjerë pas meje do ta kenë të vështirë, mos të pamundur për të dhënë shifër të saktë se sa shkrepje ka fiksuar ky Gëzim i Domëve në jetën e tij 65 vjeçare.
Urimin së pari e pashë tek dy djemtë e tij Indriti dhe Besmiri, që e uronin me gjithë shpirt këtë jubile të lindjes të babait të tyre. Teksa po shkruaj, më ofrohet një shijakas dhe më shpreh falenderimin kur mëson se po hedh rradhë për Gëzim Domin.
– Është djalë shumë i mirë ky shijakasi ynë. Por ka patur edhe një baba mëse të shkëlqyer. Hajde burrë hajde! Cake i thërritnim. Në mos gaboj shofer punonte.
Dhe shijakasi nuk pushonte së foluri mirë për Gëzim Domin. E vendosa këtë shijakas, për të testuar opinionin popullor për njeriun e mirë dhe të urtë, për punëtorin e madh, të papërtuarin dhe të gjindurin, kryemjeshtrin e fotografisë Gëzim Domi.
65 vite jetë! Krenari për ta vështruar ecurinë nga kjo lartësi. Pasioni dhe vullneti i tij për aparatin dhe fiksimet e pamjeve çajnë malet. Oh çfarë ka bërë dhe po bën me këtë symagjik, ky i regjur i fotografisë!
Gëzim Domi, sado të doja që mendimet e mia, lapsi im, ti ofrohej sadopak lartësisë së mjeshtrisë tënde dhe nivelit të arrirë ku e ke vendosur fotografinë!
Dhe puna e kryer del më në pah, po të renditesh cilësitë e tua njerëzore. Me të drejtë kam krijuar përshtypjen, që aparati në duart e tua Gëzim Domi, këndon. Ekzekuton uverturën e jashtëzakonshme të asaj muzike, ku na bën nder të gjithëve, veçanërisht durrsakëve, të cilët janë fatlum që të kanë në gjirin e tyre.
Ta gëzosh këtë jubile! Të gëzosh gjithçka të mirë që ke arritur, falë djersës dhe punës së palodhur, me shumë frymëzim dhe sakrifica!
Të gëzosh familjen tënde aq të dashur, bashkshorten, dy djemtë dhe trashigimtarët e tyre!
Gëzim Domi, të uroj 65 vjetorin e lindjes, së bashku me Kostandinën! Lutemi për jetë të gjatë dhe shëndet të plotë!
Paç bekimin e Zotit!
Bujar Qesja
Durrës: 27 dhjetor 2024