Gjendet trupi i pajetë i një të riu në një shtëpi të braktisur në Durrës, në lagjen nr.17.

Burime policore konfirmojnë për “DurrësLajm” se bëhet fjalë për një person që ka humbur jetën nga mbidoza e lëndëve narkotike.

I riu ishte larguar prej ditësh nga shtëpia dhe kishte humbur kontaktet me familjarët, të cilët kishin bërë denoncimin në polici që më datë 27 dhjetor 2024.

I riu i gjetur i pajetë është Flogert Koni, i moshës 36 vjeç. Nga burime jo zyrtare, “DurrësLajm” mëson se 36-vjeçari është gjetur i pajetë mbrëmjen e djeshme në një banesë pranë zonës që e njohin si shtëpia e baterive.

Në njoftimin e saj, Policia e Durrësit thotë se viktima dyshohet se ka humbur jetën si pasojë e overdozës.

Njoftimi:

Më datë 17.01.2025, rreth orës 19:00, në lagjen nr. 16 Durrës, në një banesë të pa banuar është gjetur pa shenja jete shtetasi F. K., 36 vjeç, banues në lagjen nr. 13 Durrës.

Më datë 05.01.2025, shtetasi E.P, (kushëriri i shtetasit F.K) ka bërë kallëzim në Komisariatin e Policisë Durrës, se shtetasi F. K, ishte larguar nga banesa dhe nuk ishte kthyer më.

Nga këqyrja paraprake e trupit të 36 vjeçarit nuk janë konstatuar shenja dhune dhe paraprakisht dyshohet se 36 vjeçari ka humbur jetën si pasojë e overdozës.

Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë po punon për zbardhjen e rrethanave dhe dokumentimin e plotë ligjor të rastit.

M.B.