David Gjinollari ka premtuar se Teuta do të rikthehet sezonin e ardhshëm edhe më e fortë, pasi këtë sezon arriti të shpëtonte në fund. Gjinollari shprehet se ky ishte një sezon për t’u harruar dhe tashmë synimet janë për t’u ringritur dhe nga të gjithë synimi është për më lart.
Si ndiheni që arritët objektivin në sezonin e fundit?
Ne do të rikthehemi, jam i sigurt për këtë. Do të rikthehemi edhe më të fortë. Sigurisht, ne nuk dëshironim që të ndodhte diçka e tillë. Edhe për ne lojtarët ka qenë shumë stresuese derisa ia dolëm të shpëtonim sezonin.
Gjatë kësaj periudhe keni qenë në pushim absolut, keni punuar individualisht?
Kam qëndruar pushim për një periudhë të caktuar, pasi ishte e nevojshme, por stërvitjen nuk e kam lënë dhe kam vazhduar me ritme të larta për të qenë gati kur të fillojë kampionati.
Si e shihni skuadrën në sezonin e ri?
Jam i kënaqur me ambientin në klub, qytetin dhe gjithashtu shokët e ekipit. Normalisht që synimet e Teutës janë të mëdha. Dihet që klubi synon gjithmonë majat dhe objektivi do të jetë që të jemi sa më lart.
Një sezon deri diku i kënaqshëm dhe për ju në aspektin personal, si e shihni të ardhmen?
Unë jam në kontratë me Teutën dhe do të jem bashkë me ekipin në këtë sezon për të tentuar të bëjmë mirë. Shpresoj që të bëhet një punë e mirë për ndërtimin e skuadrës dhe të kemi mundësi të jemi një grup konkurrues.
Kategoria Superiore këtë sezon do të jetë shumë e vështirë pasi ka emra të mëdhenj ekipesh. Por do të tentojmë maksimumin. Besoj pas një periudhë që nuk mora shumë minuta u ktheva në janar te Teuta, dhe bëra diçka mirë, por tanimë me një ecuri të mirë rikuperuese. Për sezonin e ri do të jem pranë ekipit për të dhënë kontributin tim.
Çfarë u premtoni tifozëve durrsakë?
Nuk jam një lojtar që bëj premtime para kohe. Premtimi im i vetëm është që do të jap më të mirën, si në stërvitje, ashtu edhe në ndeshje. Të tjerat do t’ia lë fushës dhe uroj të më vlerësojnë të tjerët për atë çfarë do të bëj te Teuta.