Gjykata Administrative e shkallës së parë Durrës, ashtu si shumë gjykata të tjera në të gjithë vendin ka mungesa në staf, gjë që ndikon drejtpërdrejt në mbarëvajtjen e punës dhe në gjykimin e shpejtë të çështjeve që regjistrohen pranë saj për zgjidhje.
Nga 4 gjyqtarë që ka në organikë kjo gjykatë, aktualisht pranë saj punojnë vetëm 3 gjyqtarë, 2 prej të cilëve janë transferuar me vendim të Këshillit të Lartë Gjyqësor në Durrës përkatësisht në qershor gjyqtarja Rezarta Aliu dhe shtator të këtij viti gjyqtari Adrian Shega.
Së bashku me zv/kryetaren Kloida Veizi, këta 3 gjyqtarë e kanë thuajse të pamundur të përballojnë numrin e madh të dosjeve administrative të regjistruara pranë këtij organi gjyqësor.
Vështirësitë në mbarëvajtjen e punës së Gjykatës Administrative të shkallës së parë pranohen nga kancelarja Elona Hysi, e cila në një komunikim me “DurrësLajm” bën të ditur se numri i çështjeve që kanë marrë zgjidhje në 2 vitet e fundit është i vogël krahasuar me volumin e dosjeve të regjistruara përgjatë këtij viti, por edhe atyre që janë mbartur nga viti 2020.
Për vitin 2020, Gjykata Administrative e shkallës së parë Durrës ka gjykuar 1145 çështje dhe janë mbartur për vitin 2021 1958 çështje.
E njëjta situatë e rënduar konstatohet edhe në 9 muajt e parë të këtij viti, pasi statistikat flasin për 1224 çështje të reja dhe vetëm 449 çështje të gjykuara.
Nëse i referohemi shifrave të 9 mujorit 2021 vetëm 36% e çështjeve janë gjykuar, por kur çështjeve të regjistruara përgjatë këtij viti u shtohen edhe 1958 çështje të mbartura nga viti 2020, situata bëhet edhe më alarmante.
Ndërsa subjektet presin verdiktin e shpejtë të gjyqësorit për mosmarrëveshjet që lidhen me një veprim administrativ, zvarritjet dhe proceset e tejzgjatura, në disa raste edhe me vite, shkaktojnë humbje financiare dhe pasoja afatgjatë në mbarëvajtjen e veprimtarisë së tyre ekonomike.
M.B.