HAGË- Pasi OKB-ja i zgjati mandatin edhe për dy vjet të tjera, Gjykata e Hagës për Krimet e Luftës në ish-Jugosllavi njoftoi se shpall të mbyllura zyrat e saj në Kosovë dhe Kroaci. 

Përmes një komunikate, gjykata shtoi se mbyllja e zyrave në Prishtinë dhe Zagreb po bëhet në përputhje me strategjinë e përfundimit të detyrave që i kanë mbetur. 

Ndërkaq, ajo shtoi se zyrat në Beograd dhe Sarajevë do të mbeten të hapura për të vazhduar mbështetjen e punës së gjykatës. 
Kreu i saj, gjykatësi Theodor Meron ka lavdëruar punën e stafit në të dy zyrat që po mbyllen. 

Ai tha se këto zyra kanë punuar për të vënë drejtësinë në vend dhe për të kthyer besimin tek etnitetet e prekura. 

Që nga themelimi i saj në vitin 1993, Gjykata e Hagës ka pasur të hapura gjashtë zyra në Beograd, Sarajevë, Zagreb, Prishtinë, Banja Luka dhe Shkup.