Enea Jorgji futet në historinë e futbollit shqiptar duke u bërë arbitri i parë që gjykon në Champions League, niveli më i lartë i futbollit europian për klube.
Së bashku me asistentët Denis Rexha dhe Ridiger Çokaj, si dhe arbitrin e katërt Florian Lata, gjyqtari elbasanas drejtoi ndeshjen e Grupit G, Young Boys-Leipzig, e cila u mbyll me shifrat 1-3 për gjemranët.
Tashmë ëndrra është bërë realitet, Enea Jorgji preku grupet e Champions, një kompeticion që asnjë arbitri shqiptar nuk e kishte arritur më parë.
Në përgjithësi performanca e arbitrave shqiptar ishte pozitive dhe u vlerësuan për mënyrën e gjykimit të ndeshjes.
Gjithsesi pati një moment të diskutueshëm në minutën e 53 kur rezultati ishte 1-1.
Xavi Simonsi u rrëzua në zonë dhe kërkoi penallti. Jorgji shkoi ta shohë rastin në VAR-it dhe në fund vendosi të mos akordojë 11-m.
Një vendim që ngjalli pakënaqësi tek futbollistët e Leipzig. Mbi të gjitha tek Kevin Kampl, i cili kritikoi vendimin e Jorgjit dhe mori menjëherë karton të verdhë.
Gjithsesi ky moment nuk ndikoi në rezultatin përfundimtar, pasi Leipzig arriti të shënonte dhe dy herë të tjera për të marr tri pikët.
“Mendoj se kam bërë mirë. Shumë vlerësim i madh… ishte hera e parë, mendoj se dhamë maksimumin si skuadër për të bërë më të mirë për të përfaqësuar Shqipërinë dhe arbitrimin shqiptar, të gjithë shqiptarët aty ku e meritojnë. Pati fair play. Të gjithë e mirëpritën arbitrimin tonë. Kam marr plot mesazhe, plot opinione, plot këndvështrimi, 90 % e tyre janë pozitive dhe mendoj se kemi bërë një paraqitje të denjë. Kemi diskutuar shumë para ndeshjes dhe vetë e ndjeja se do kishim emocion shumë të fortë, sidomos gjatë himnit, sepse ajo është diçka që me të vërtetë të prek. Nuk e ndjeva shumë, por ndoshta ishte ajo bota ime të përqendrohem dhe më bëri të qëndroj larg emocioneve dhe çuditërisht emocionet i ndjeva pas ndeshjes kur u futa në dhomën e zhveshjes. Pastaj po filloja dhe të ndieja çfarë kisha kaluar, çfarë kisha kaluar, atmosferën, ndeshja, lojtarët, dhe pastaj më dhanë disa të dridhura…normale besoj”, tha Jorgji në ABC.