Është vënë në pranga një 64-vjeçar në Kavajë, i cili një ditë më parë plagosi me thikë dhëndrin e tij.  

Po ashtu, në pranga është vënë edhe vetë i plagosuri, pasi sipas policisë, dyshohet se ka ushtruar dhunë të vazhdueshme ndaj bashkëshortes së tij. 

46-vjeçari akuzohet gjithashtu edhe se nuk ka kallëzuar për rrethanat dhe autorin e plagosjes.           

Fillimisht, ky i fundit u konfliktua me bashkëshorten e tij e më pas dyshohet se ka ndërhyrë vjehrri për të ndihmuar vajzën, duke e plagosur 46-vjeçarin me thikë. 

Njoftimi i policisë:

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Kavajë, në përfundim të veprimeve të kryera për ngjarjen e ndodhur pasditen e djeshme, arrestuan në flagrancë shtetasit:

P. D., 64 vjeç, banues në Kavajë, pasi dyshohet se ka plagosur me mjet prerës (thikë), bashkëshortin e vajzës së tij, shtetasin L. D., i cili është jashtë rrezikut për jetën;

L. D., 46 vjeç, banues në Kavajë, pasi dyshohet se ka ushtruar vazhdimisht dhunë ndaj bashkëshortes së tij. Gjithashtu, gjatë kryerjes së veprimeve procedurale nga Policia, pasditen e djeshme, nuk ka kallëzuar për rrethanat dhe autorin e plagosjes.

Materialet procedurale i kaluan Porkurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”, “Dhuna në familje” dhe “Moskallëzimi i krimit”.