Kryendeshja Gramshi-Partizani, e vlefshme për javën e nëntë të kampionatit kombëtar në vajzave, e zhvilluar dje në “Shtëpinë e Futbollit” në Tiranë, dhuroi rivalitet të lartë në fushë, ndërsa nuk mungoi as tensioni. Duke parë rëndësinë e këtij takimi, FSHF kishte vendosur edhe sistemin VAR. Një ndeshje shumë e luftuar, me të dyja ekipet që provuan të merrnin fitoren, por që në fund ndanë nga 1 pikë, pasi gjithçka u mbyll në barazim pa gola. Takimi nisi ritëm, ndërsa shkëndijën e parë e dha Marinela Mema e Partizanit, e cila në të 26-ën tronditi traversën me një goditje ballore. Në fraksionin e dytë kërcimin serioz erdhi nga Gramshi, teksa në të 58-ën, ishte Mesuare Begallo ajo që e stampoi topin në traversën e portës së Partizanit.
Ndërkohë në të 71-ën do të vinte edhe momenti që “ndezi fitilin” e tensionit. Fleta Musaj, e cila ishte zëvendësuar 10 minuta më herët, duke i lënë vendin Erieta Shabiut, bëhet protagoniste e një incidenti nga pankina, teksa lëshon një bidon me ujë në drejtim të lojtareve të Partizanit.Një veprim që i kushton edhe kartonin e kuq, pasi gjyqtarja Englantina Pjetrushi pa gjithçka dhe e dërgoi para kohe në dhomat e zhveshjes lojtaren e Gramshit. Me ndeshjen e mbyllur 0-0, në fund ishte koha e “sqarimit”, që më pas degjeneroi në sherr. Teksa ekipet po i drejtoheshin dhomave të zhveshjes, në korridor ndodhi një përplasje mes trajneres së Partizanit, Aurora Seranaj dhe Fleta Musajt.
Pasi e nxehën terrenin me disa ofendime, më tej ato kaluan në aksion, duke lëshuar shishe uji kundrejt njëra-tjetrës, ku gjithçka u përshkallëzua me një përleshje masive në korridor. Por e menjëhershme ka qenë ndërhyrja e të dy stafeve dhe forcave të sigurisë që nuk kanë lejuar të zgjerohej më tej sherri me tyre.Ndërkohë pas ndeshjes, Gramshi ka dalë me një komunikatë zyrtare, me pretendime të forta për gjykimin në këtë takim. Klubi gramshiotë akuzon arbitret Eglantina Pjetrushaj dhe Erinda Kume për gjykim të njëanshëm në favor të Partizanit, duke sulmuar gjithashtu edhe sistemin VAR.