Këngëtarja e njohur shqiptare, Çiljeta ka folur në emisionin ‘Ftesë në 5’ me Bieta Sulon mbi përditshmërinë e saj gjatë muajit të Ramazanit. Pak ditë më parë, 34-vjeçarja publikoi një video ku shfaqej e mbuluar me shami dhe kjo bëri që të gjitha mediat të shkruanin për këtë. E pyetur nga moderatorja, Çiljeta pohoi se e konsideronte një video shumë normale pasi prej disa vitesh beson në fenë myslimane dhe ka agjëruar disa herë.

“Ma kanë çarë telefonin pasi kam nxjerrë këtë video, sa thashë ‘Ç’deshe moj gocë, ishe mirë!’ Nuk është ndonjë gjë uau, thjesht ishte hera e parë që e deklaroja kaq hapur ose fakti që isha e veshur me shami. Unë atë ditë kam qenë duke shkuar në xhami. Ka qenë dita e parë e Ramazanit dhe doja të gjeja një formë për të uruar të gjithë besimtarët myslimanë. Unë si Çiljetë, me ato ndjesitë e mia përbrenda, bëra një video dhe më dolën ca fjalë zemre”, tregoi këngëtarja në intervistën e dhënë.

Çilaga shtoi gjithashtu se shumë shpejt do të sjellë një projekt të ri muzikor në bashkëpunim me Fatmira Breçanin dhe se xhirimet për të do të nisin në javët në vazhdim, duke e sjellë këngën në javën e parë të qershorit.