Që Teuta ka ndryshuar fytyrë dhe ritëm, kjo nuk ka nevojë për shumë fjalë, mjafton të shikosh renditjen dhe ecurinë e tyre. Ndryshime të mëdha nga një skuadër që me shumë sforco siguronte mbijetesën sezonin e kaluar, në këtë edicion është pa dyshim “hirushja” e kampionatit.Faza përgatitore është drejt fundit dhe skuadra ka nisur me përgatitjet nga ditët e para të janarit, duke zhvilluar dhe treguar karakter dhe në testet miqësore. Mbrojtësi i krahut të majtë, Esin Hakaj, flet për ndryshimin e skuadrës, por edhe për etjen që ka ky grup në këtë sezon.

Pas një sezoni të vështirë, këtë vit gjërat duken krejtësisht ndryshe. Çfarë mendoni se ndryshoi në këtë sezon?

Mendoj se këtë sezon ka ndryshuar shumë gjëra nga ai i kaluari dhe janë të dukshme. Duke nisur nga stafi teknik dhe deri te lojtarët. Kemi lojtarë me eksperiencë dhe lojtarë me shumë dëshirë për të fituar. Ndërthurja midis dy brezave mendoj se është në perfeksion dhe në fushë kemi treguar të gjithë potencialin tonë. Kemi punuar intensivisht, shumë fort këtë periudhë, të përqendruar dhe nga stafi na është injektuar dëshira e vazhdueshme për fitore dhe kjo mendoj se është më pozitivja.

E mendonit këtë ecuri të skuadrës në fillim të edicionit?

Këtë edicion e nisëm me objektiva të qarta dhe me ide të duhura. Normalisht që jo vetëm unë, por të gjithë besuam te projekti dhe te forca jonë. Rezultatet pozitive javë pas jave na kanë shërbyer për motivim, dëshirë për të vazhduar përpara, për të bërë akoma dhe më mirë.

A besoni tek titulli apo skuadra kënaqet me objektivin e Europës?

Objektivi i këtij viti është pjesëmarrja në Kupat e Europës dhe ne jemi pikërisht të fokusuar aty, për ta arritur. Deri tani jemi në rrugën e duhur dhe asgjë nuk ka qenë e lehtë dhe jemi të vetëdijshëm që edhe gjysma tjetër do të jetë e vështirë dhe shumë e luftuar. Ne do t’i marrim ndeshjet njëra pas tjetrës.

Pika më e fortë e skuadrës, sipas jush, cila është?

Pika më e fortë është pa dyshim fryma e grupit. Jemi të gjithë një dhe shumë të bashkuar. Çdo ditë dhe gjithmonë kemi punuar shumë fort, të gjithë për të dhënë maksimumin dhe për të marrë maksimumin nga kampionati. Të gjithë japin më shumë se 100% e tyre si në ndeshje ashtu edhe në stërvitje.

Cili është shoku i skuadrës që kuptoheni më mirë?

Mendoj se me Osmanin kuptohem më mirë dhe më lehtë.

E keni një idhull?

Pa dyshim që po, e kam, çdokush ka një pikë referimi, një idhull. Për mua është Marselo. Dua t’i ngjaj dhe punoj shumë çdo ditë.

Deri tani cili ka rezultuar kundërshtari më i fortë?

Do thosha që të gjithë kundërshtarët janë të fortë. Nuk besoj se ka kundërshtarë të lehtë. Jemi në një kampionat shumë të luftuar, me pak diferenca dhe ato pak diferenca zerohen në fushën e lojës.

Cila ndeshje për ju ka qenë më e mira?

Një ndeshje e mirë është kur shpreh më të mirën nga vetja dhe të gjithë japin maksimumin e tyre. Kjo ka ndodhur gjithmonë, nga të gjithë. Kështu që ndeshjet tona të mira kanë qenë gjithmonë, ndoshta me përjashtim të dy ose tri ndeshjeve, të tjerat kemi treguar më të mirën tonë, në lojë dhe rezultat.

Ka diçka që nuk do dëshironit të përsëritej nga kjo gjysmë e parë e kampionatit?

Mendoj se nuk duhet të përsëriten më disa ndeshje që mund të kemi gabuar dhe ndoshta kemi nënvlerësuar. Kjo duhet të eliminohet plotësisht dhe jam i bindur se jemi të aftë për ta ndryshuar dhe për të vazhduar rrugën që kemi nisur.