Që nga fillimi i muajit maj, Hamami i Durrësit ka hapur dyert për vizitorët vendas dhe të huaj.
Monumenti i kategorisë I, iu nënshtrua restaurimit të plotë me një fond me vlerë 32 milionë lekë, financuar nga programi EU4Culture, i Bashkimit Europian.

Godina një katëshe, e ndërtuar në shekullin XVIII është një nga dhjetë hamamet e mbijetuar në Shqipëri, nga periudha e sundimit osman. Fakt interesant është që godina simbolike hap dyert për herë të parë për vizitorët, pasi pavarësisht se është ruajtur edhe gjatë viteve të regjimit komunist dhe demokracisë, ajo nuk ka qenë e vizitueshme, për shkak të gjendjes së amortizuar.
Gjatë tërmetit të vitit 2019, Hamami pësoi dëmtime të rënda dhe u përfshi në listën e monumenteve, që do të restauroheshin me fondet e BE.
I dëmtuar nga tërmeti i 5 viteve më parë mbeti edhe Muzeu Arkeologjik Kombëtar Durrës, në të cilin prej 3 vitesh vijojnë punimet e restaurimit. Muzeu pritet të hapë dyert e tij vjeshtën e këtij viti dhe do të jetë funksional në të 3 katet e tij.
I kthyer në një nga qytetet më të vizituara të Shqipërisë në çdo stinë të vitit, Durrësi regjistron shifra të konsiderueshme vizitorësh në sitet arkeologjike dhe historike. Sipas drejtorit të Qendrës Muzeore, Alban Ramohitaj, çdo vit regjistrohet një rritje me rreth 10 mijë vizitorë.
Turistët e shumtë që vijnë në qytetin bregdetar mund të vizitojnë aktualisht monumente si Amfiteatri, Torra Veneciane, Hamami, Forumi Bizantin, Termat romake etj, ndërsa Muzeu Arkeologjik dhe ai Etnografik janë ende në proces restaurimi.
Historiku i Hamamit
Hamami ndodhet në juglindje të qytetit mesjetar, në bulevardin “Epidamn”.
I pozicionuar vetëm disa qindra metra larg paraardhësit të tij të lashtë, banjave romake, hamami kreu funksionin e tij të parë deri në fund të shekullit XIX.
Në fillim të viteve 2000, ai pësoi disa ndryshime për t’u shndërruar në një kafene, e cila funksionoi si e tillë për disa vite.
Pas mbylljes, Hamami u përball me dëmtime të rënda gjatë tërmetit të vitit 2019, duke e bërë atë një prioritet për ndërhyrje në kuadër të programit EU4Culture.
M.B.