TIRANE-Merr fund kaosi i ndërtimeve në Tiranë, kjo gjë falë hartimit të Rregullores së Përgjithshme të Planit Rregullues. Bëhet fjalë për hartimin e ‘kushtetutës së ndërtimeve’, e cila është rregullatori i llojit të ndërtimeve, lartësisë së kateve, parkimeve, ndërtimin e rrugëve, parqeve etj. Kjo rregullore, e cila prej vitesh i ka munguar Tiranës, ka në përbërje të saj 54 nene. Në secilin prej tyre sanksionohen rregulla se si duhet të bëhen ndërtimet në metropolin e vendit, por të ketë një cilësi jetese sa më të mirë si dhe siguria e strukturave të jetës të jetë sa më e lartë. Po ashtu, kjo rregullore 11 njësitë bashkiake i ndan në nënnjësi, përkatësisht në 464 të tilla. 

Në secilën nënnjësi përcaktohet mënyra e shfrytëzimit të tokës dhe lartësia e strukturave të banimit, apo të shërbimeve publike. Lartësia e ndërtesave që përcakton kjo rregullore në të 11 minibashkitë e Tiranës varion nga 3 kate, që është minimalja deri në 12 kate, që është lartësia maksimale. Ndërkohë që në të 464 nënnjësitë që janë krijuar nga kjo rregullore, mund të lejohet që për pallatet e ndërtuara para `90 të bëhen shtesa horizontale deri në 20% të sipërfaqes së godinës ekzistuese si dhe në pozicionin vertikal deri në një kat për përdorim banimi. 

Rregullorja

Ligji themeltar i ndërtimeve në Tiranë ditën e hënë më 24 dhjetor do të kalojë për miratim në këshill bashkiak. Rregullorja e planit të përgjithshëm rregullues përbëhet nga 54 nene, të cilët përcaktojnë mënyrën e ndërtimeve në Tiranë dhe llojet e ndërtimeve që mund të lejohen në 464 nënndarje. Kjo rregullore ka për objekt përcaktimin e rregullave, normave dhe standarteve lidhur me përdorimin e tokës sipas zonimit funksional të Planit të Përgjithshëm të qytetit të Tiranës. Si dhe të përcaktojë disa rregulla për intensitetet e zhvillimit, sistemit rrugor dhe transportit si dhe të ruajtjes së zonave dhe vlerave të trashëgimisë kulturore dhe mjedisit në zbatim të parashikimeve të Planit të Përgjithshëm të Bashkisë së Tiranës. Për pallate të ndërtuara para viteve ’90 mund të lejohen shtesa horizontale deri në 20% të sipërfaqes së godinës ekzistuese si dhe shtesa vertikale deri në një kat për përdorim banimi, ristrukturime, ose ndryshime të fasadave, pa prekur vijën e ndërtimit. Kryesisht koeficienti i shfrytëzimit të tokës për përdorimin banim shkon nga 50%-70%. Të gjitha zhvillimet në territor duhet të jenë në përputhje më kategoritë e lejuara të përdorimit të tokës sipas përcaktimeve të kësaj rregulloreje dhe Planit të Përgjithshëm të qytetit, duke i kushtuar rëndësi posaçërisht organizimit, shpërndarjes së shërbimeve publike, higjienës dhe shëndetit. Dy nenet e fundit të kësaj rregulloreje, por jo më pak të rëndësishmit, sanksionojnë se për shkak të rrezikut sizmik në nënnjësitë strukturore urbane, strukturat në qytet duhet të respektojnë nivelin e rrezikut sizmik deri në 8 ballë si dhe duhet të respektohen standardet e kodit të ndërtimit, rregulloreve kombëtare dhe lokale dhe të kodit profesional.