Disa punonjëse të një fabrike që prodhon kabllo e tela për automjetet për llogari të një kompanie në Gjermani, janë helmuar gjatë ditës së sotme.

DurrësLajm” mëson se ngjarja ka ndodhur vetëm pak minuta pasi ato kishin shkuar në punë, në firmën që ndodhet në autostradë.

Drejtoresha e spitalit rajonal Durrës, Pamela Bardhaj, në një komunikim me “DurrësLajm” bëri të ditur se gratë janë paraqitur në urgjencë me shqetësime në traktin gastro-intestinal, teksa tha se janë të shtruara vetëm 4 paciente, dhe jo 5 siç bëri të ditur më herët policia. Bardhaj tha se ato janë jashtë rrezikut për jetën.

Shkak sipas këtyre punonjëseve, ishte bërë ilaçi i minjve me të cilin kishin spërkatur ambientet ku ato punojnë,

Kishin hedhur ilaç për minjtë dhe nuk na thanë. Nga ilaçi i minjve nisi helmimi. Në repartin tim jemi rreth 100 gra që punojmë”, tha njëra prej vajzave që po merr serum në urgjencën e Durrësit.

Punonjëset thanë për “DurrësLajm” se në fabrikë ishte hedhur bar miu që shkaktoi edhe shenja helmimi masiv tek dhjetëra punëtore. Fillimisht kanë marrë mjekim nga mjeku i fabrikës, i cili vendosi që fabrika për sot të mbyllte dyert. Por edhe pse u dërguan në shtëpi, nje pjesë e tyre iu kanë vazhduar simptomat dhe kanë shkuar në  spital për të marrë mjekim të specializuar.

Mesditën e sotme janë paraqitur në spitalin e Durrësit, shtetaset O. A., 41 vjeçe, A. R., 26 vjeçe, M. Xh., 30 vjeçe, A. Gj., 35 vjeçe dhe J. K., 38 vjeçe, tha policia në një njoftim paraprak.