Gazetari Lirim Dullovi, ka reaguar me një status të ashpër ndaj zhvillimeve të fundit politike dhe, siç i quan ai, tendencave për zbehjen e identitetit kombëtar shqiptar në Maqedoninë e Veriut.
Dullovi e nis reagimin duke bërë një krahasim mes arbëreshëve të Italisë dhe shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. Sipas tij, arbëreshët, edhe pas më shumë se pesë shekujsh larg trojeve shqiptare, kanë arritur ta ruajnë gjuhën, kulturën, traditat dhe identitetin kombëtar, madje duke vendosur edhe mbishkrime dygjuhëshe në zonat ku jetojnë.
“Në Maqedoni po ndodh e kundërta”, shkruan Dullovi, duke iu referuar Kongresit të parë të VLEN-it, ku nuk u këndua himni kombëtar shqiptar, ndërsa rikujton edhe një tubim parazgjedhor në Tetovë ku, siç thotë ai, mungonte flamuri kombëtar shqiptar.
Statusi i plotë i Dullovit:
Arbëreshët e Italisë, për më shumë se 500 vjet, larg trojeve shqiptare, arritën ta ruajnë gjuhën, kulturën, kujtesën dhe traditat shqiptare. Madje, në komunat ku jetojnë, edhe mbishkrimet e rrugëve dhe të institucioneve i kanë në dy gjuhë.
Në Maqedoni, ndërkaq, po ndodh e kundërta. Mbrëmë, kulmi ishte në Kongresin e parë të VLEN-it, ku nuk u këndua himni kombëtar. Më herët, në një tubim parazgjedhor në Tetovë, nuk u përdor flamuri kombëtar. Ndërkohë, nuk pushojnë së ndërtuari narrativin se gjuha shqipe “nuk është zyrtare”, pa thënë asnjë fjalë pse nuk po e zyrtarizojnë atëherë, tani që janë vetë në pushtet. Dhe, për çudi, mbrëmë, para “Albin babës”, e gjithë kjo u quajt “bërje historie”.
Në fakt, ndoshta edhe kanë të drejtë. Këta po e jetësojnë projektin 3A: shqiptarin ndryshe nga ai i Kosovës dhe Shqipërisë; një shqiptar pa gjuhë, pa flamur dhe pa himn.
Arbëreshët janë të krishterë, ndërsa këta e paraqesin veten si myslimanë të devotshëm; nuk lënë xhuma pa u fotografuar në saf të parë. Atëherë, prej nga vjen gjithë kjo neveri e tyre ndaj gjuhës shqipe, flamurit kombëtar dhe himnit shqiptar? Nga feja, apo nga shtrembërimi i fesë, duke e paraqitur atë në konflikt të vazhdueshëm me identitetin kombëtar shqiptar?
Pleqtë tanë, kur tregonin për shpërnguljet masive të shqiptarëve nga këto troje, përmendnin me emër e mbiemër edhe rolin e disa hoxhallarëve që inkurajuan largimin drejt një “toke të premtuar” në Anadoll. Shumë shqiptarë u besuan, sepse nuk mund ta imagjinonin se njerëzit që flisnin në emër të Zotit, në realitet, po e përdornin fenë vetëm për ta fshehur misionin që kishin marrë për t’i zbrazur këto treva nga shqiptarët.
Po sot, kështu si e kanë nisur këta që po “bëjnë historinë”, a thua ku e kanë ndërmend të na çojnë?





