“Këtë punë ka 20 vite që e kam nisur. Nuk ka qenë e lehtë për mua dhe familjen time. Fillimisht e kam nisur me lulet e oborrit, me 100 rrënjë trëndafilash. I kemi marrë lulet në krahë nga fshati deri në Tiranë pa makinë. Deri tek 4-rrugët në këmbë, pastaj me autobus shkonim në Tiranë dhe i shisnim rrugëve.”

Këto janë fjalët e Valbona Bodllit, teksa tregon për “DurrësLajm” historinë e saj të suksesit.

Familja e saj në fshatin Rreth të Shijakut është e vetmja që kultivon trëndafila për tregti në Shqipëri.

Dikur me 100 rrënjë trëndafilash, sot ajo numëron plot 40 mijë të tilla, puna për përkujdesjen e të cilave nuk është aspak e lehtë. 

“Si çdo bimë tjetër, edhe trëndafili kërkon shumë punë e përkujdesje. Aq më tepër që edhe kushtet nuk i kemi pasur në favorin tonë, sepse çdo gjë e kemi bërë me krah. Akoma edhe sot punojmë me shat, ujisim me tub uji, sepse këto kërkojnë investim që të bësh pak rehat, por ne nuk kemi pasur mundësi.

Dita nis në 4 të mëngjesit, përditë. Ne sistemojmë lulet që i kemi përgatitur që në darkë, i ngarkojmë në makinë dhe shkojmë në Tiranë. D.m.th., në orën 5 të mëngjesit unë jam në Tiranë çdo ditë. Shpërndajmë lulet nëpër dyqane dhe nga ora 11-12 kthehem në shtëpi. Përgatis drekën dhe pastaj gjithë pasditen dalim që përgatisim lulet për të nesërmen”, tregon ajo.

E vështirë ka qenë për ta edhe krijimi i klientelës dhe zgjerimi i tregut, por ndërsa sot gjithçka mund ta bëjë vetë, Valbona ka vetëm një apel drejtuar pushtetit qendror a vendor.

Ndiqeni të plotë apelin dhe historinë e saj në materialin e përgatitur për ju, të cilin e gjeni bashkangjitur.

K.Gj.